SHBA braktis “mburojën” për Europën

16/03/2013 00:00

Shtetet e Bashkuara njoftuan braktisjen në fazën finale të përforcimit të mburojës raketore për aleatët në Europë, të parashikuar për t’u ndërtuar në Poloni.

Vendimi u bë nga vetë Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel. Sekretari Hagel radhiti dy arsyet se përse ishte vendosur tërheqja nga kjo mburojë. E para, sipas tij, është vendimi i Kongresit për të shkurtuar buxhetin për mbrojtjen, ndërsa arsyeja është fakti që Europa gëzon një mbrojtje të plotë deri në vitin 2018, sipas sistemit aktual anti-raketë GBI.

Vendosja e interceptorëve të përmirësuar në Europë, me mision shkatërrimin e raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, synonte, sipas SHBA-së të parandalonte sulmet e mundshme që mund të mbërrijnë nga Lindja e Mesme dhe Azia.

Por programi mbrojtës kritikohet nga Rusia. Moska e konsideron atë si të drejtuar kundër saj dhe si reagim për këtë u tërhoq nga bisedimet e çarmatosjes bërthamore me Shtetet e Bashkuara.

Analistët thonë se vendimi i Uashingtonit për të braktisur programin të interceptorëve mbrojtës në Europë mund të rinisë bisedimet për reduktimin e armëve bërthamore me Moskën.

Megjithatë, shkurtimet në Departamentin e Mbrojtjes nuk prekën programet dhe mburojat në territorin amerikan. Pentagoni njoftoi vendosjen e 14 interceptorëve të përmirësuar në Alaskë, një kundërpërgjigje kjo ndaj kërcënimit të Koresë së Veriut e cila mendohet se me testin e fundit të raketës së saj, ka zhvilluar aftësinë për të goditur Shtetet e Bashkuara. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA