Të paktën 12 persona kanë vdekur dhe dhjetra të tjerë janë plagosur, kur një kamion i vogël i ngarkuar me fishekzjarre shpërtheu në një fshat të vogël në qendër të Meksikës.
Shpërthimi ndodhi gjatë një festimi fetar në Jesus Tepactepec, një fshat në shtetin e Tlaxcala. Fshatarët ishin duke marrë pjesë në një kortezh, kur një fishekzjarr u ndez papritur brenda automjetit, sipas raportimeve.
14 ambulanca, një njësi lëvizëse mjekësore dhe 2 helikopterë të ndihmës së shpejtë u dërguan në fshat, për të ndihmuar të plagosurit. Shumë prej tyre janë dërguar në spital, në shtetin fqinj të Puebla-s.
“Zot, kjo është një tragjedi”, tha peshkopi i Tlaxcala, Francisco Moreno, i cili ishte prezent në vendngjarje gjatë shpërthimit.
Guvernatori i shtetit, Mariano Gonzalez, urdhëroi të gjitha spitalet e rajonit të trajtojnë viktimat e shpërthimit.
“Njerëzit ishin duke marrë pjesë në një kortezh fetar në Jesus Tepactepec, kur një raketë mori zjarr në kamionin, që ishte i ngarkuar me një sasi të madhe fishekzjarresh”, tha drejtori i mbrojtjes civile për shtetin e Tlaxcala-s, Jose Mateo Morales.
Ai tha se numri i viktimave mund të rritet, pasi rrugët ishin plot me njerëz, që po përgatiteshin për festimet e shenjtorit mbrojtës të fshatit, Jesusito.
Top Channel