Shteti amerikan i Maryland pritet të shfuqizojë dënimin me vdekje, pasi ligjvënësit e tij kanë votuar 82 pro dhe 56 kundër, në favor të kësaj nisme.
Kjo masë ka nevojë tashmë të nënshkruhet nga guvernatori Martin O’Malley, në mënyrë që të kthehet në ligj.
Korrespondentët thonë se do të jetë një formalitet, pasi qeveria demokrate ka zhvilluar një fushatë 5-vjeçare për të shfuqizuar dënimin me vdekje.
Sapo të nënshkruhet dhe të kthehet në ligj, Maryland do të bëhet shteti i 18-të amerikan që shfuqizon ekzekutimet.
“Të dhënat tregojnë se dënimi me vdekje nuk është një pengesë, ajo nuk mund të administrohet pa paragjykime raciale dhe kushton 3 herë më shumë se sa dënimi i përjetshëm në burg pa kusht”, tha guvernatori O’Malley në një deklaratë. “Për më shumë, nuk ka asnjë mënyrë kthimi mbrapsht, nëse një person i pafajshëm dënohet me vdekje”.
Kundërshtarët e kësaj nisme këmbëngulën se dënimi kapital ishte një mjet i domosdoshëm për të ndëshkuar ata që kryejnë krimet më makabre.
Maryland mban në fuqi dënimin me vdekje që prej 1638, kur territori ishte një koloni britanike. Gjithsesi, shteti nuk ka dhënë ndonjë dënim me vdekje, apo të ketë ekzekutuar ndonjë të burgosur, që nga viti 2005.
Votimi u mbajt në Dhomën e Delegatëve të Maryland, në kryeqytetin e Annapolis. 80 demokratë dhe 2 republikanë votuan pro për këtë faturë, e cila kërkonte 71 vota për të kaluar. Ndërkohë 18 demokratë dhe 38 republikanë votuan kundër tij.
Connecticut është shteti i 17-të dhe i fundit që ka shfuqizuar dënimin me vdekje, vitin e kaluar, duke bërë që 1/3-ta e shteteve amerikane (50) të heqin dorë nga ekzekutimet.
Top Channel