Një tjetër dhunim në grup në Indi. Këtë herë viktima është një turiste e huaj nga zvicra, e cila është sulmuar teksa flinte me bashkëshortin në një tendë kampingu, në Indinë qendrore.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat indiane. Sipas rrëfimit të çiftit, një grup prej shtatë burrash i ka kapur ata në befasi, u ka vjedhur paratë dhe sendet me vlerë.
Më pas, shtatë prej tyre kanë abuzuar me radhë me gruan, pasi kishin neutralizuar bashkëshortin e saj. Policia ka arrestuar 13 persona.
Ngjarja ndodh në një moment kur vendi është ende i tronditur nga një seri dhunimesh të ngjashme të ndodhura së fundmi, të cilat nuk kanë kursyer as të miturat.
Më herët gjatë muajit, një nga të dyshuarit për përdhunimin dhe vrasjen e një studenteje në Delhi vrau veten në burgun ku po vuante dënimin.
BBC raportoi se, Ram Singh u gjet i varur në qelinë e tij, në burgun Tihar, ndërsa avokati mbrojtës dhe familjarët dyshojnë se ai është vrarë.
33-vjeçari ishte një nga pesë burrat që u arrestuan për përdhunimin brutal të një vajze të re, ngjarje që ndodhi në dhjetor të vitit të kaluar dhe që ndezi debatin mbi trajtimin e femrave në Indi.
Për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje, autoritetet indiane nisën një hetim, ndërkohë që për drejtuesit e burgut Singh vari veten me një litar të improvizuar nga një batanije.
Top Channel