Nuk është arritur asnjë marrëveshje për kryetarët e Dhomës dhe Senatit të Parlamentit italian, mes partive politike të dala pas zgjedhjeve të fundit, mes të cilave spikat Lëvizja 5 Yjet.
Të gjithë mbeten të gozhduar në qëndrimet e tyre, në pritje të rifillimit të votimit mëngjesin e së shtunës, kur mungesa e lidhjeve për mazhorancat e kualifikuara pritet të bëjë më të thjeshtë arritjen e marrëveshjeve.
Hipoteza në fjalë ka të bëjë me kandidaturën e Anna Finocchiaro, nga PD, për Senatin. Ndërkohë, hapja e dyerve për deputetët e Beppe Grillo, e shprehur nga lideri i PDL-së Nichi Vendola, është hedhur poshtë nga kreu i PDL-së, Silvio Berlusconi.
“Është një kuadër shumë i ngatërruar, PD është e papërgjegjshme. Ne jemi jashtë çdo tratative për ndarjen e posteve kryesore zyrtare”, deklaroi ish-kryeministri në një intervistë.
Lideri i qendrës së djathtë është shprehur shumë kategorik. “Duke qenë se nga PD është refuzuar në mënyrë të papërgjegjshme gatishmëria jonë për të marrë drejtimin dhe për t’i garantuar një qeveri vendit, ne jemi jashtë negociatave”, ka thënë Berlusconi.
Ai është shprehur më tej se, aktualisht po injorohet realiteti i Italisë dhe numrat që kanë dalë nga zgjedhjet e fundit politike.
Top Channel