Pasi theksoi se Shqipëria është një vend sovran që merr vendimet e saj, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule deklaroi se referendumi nuk mund të përdoret për të imponuar rregullat e Parlamentit, duke e cilësuar këtë iniciativë si populiste, në prag të zgjedhjeve.
“Shqipëria është një vend sovran dhe politikanët e zgjedhur kanë të drejtën të miratojnë vendimet që mendojnë se janë të mira për vendin dhe ta testojnë këtë në zgjedhjet e ardhshme. Kjo është ajo që po ndodh në një vend sovran.
Por më lini të bëj vërejtjen që vijon: Kam komentuar në Bruksel dhe në Shqipëri se nuk më pëlqen që tre çështjet të lidhen me gjë tjetër. Nuk më pëlqejnë këto lloj lidhjesh artificiale dhe mendoj se bëra një deklaratë shumë të qartë, se Shqipëria është një vend me një rekord shumë të mirë në miratimin e legjislacionit me 3/5. Pra, kjo është e mundur. Dhe po pyes veten se ku përfshihet politika këtu dhe se a kemi atë që disa mund ta quajnë populizëm.
Nuk përdoret një referendum për të imponuar rregullat e proçedurave në Parlament, sepse pasi nis të bëhet kjo, atëherë ku është fundi i këtij kreativiteti që imponon me referendum rregullat e Parlamentit dhe ligjet e ndryshme në një vend?”, deklaroi Fule.
Komisioneri përsëriti se tre çështjet e mbetura janë kusht për të dëshmuar konsensusin mes mazhorancës dhe opozitës, kur u pyet nga TCH nëse është i arritshëm statusi kandidat nëpërmjet referendumit.
“Kur së bashku me shumicën qeverisëse dhe opozitën po shihnim listën e çështjeve që duhen plotësuar dhe miratuar në mënyrë që Komisioni të rekomandojë statusin kandidat. Ne përcaktuam aty edhe një numër ligjesh dhe hapash që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Me fjalë të tjera, që kërkojnë jo vetëm komunikim, por gjithpërfshirjen në këtë proçes reformash. Për gjithpërfshirjen në reforma kam folur që prej fillimit.
Për mua, që prej fillimit, miratimi i atyre tre çështjeve nuk ishte vetëm për thelbin, por edhe për formën se si do të arriheshin, ku të dyja palët, opozita dhe mazhoranca, kanë një rol për të luajtur dhe ku të dyja palët, opozita dhe mazhoranca, kanë një përgjegjësi të veçantë.
Dhe përgjegjësia e tyre nuk është kundrejt Bashkimit Europian dhe Brukselit, por përgjegjësia e tyre është kundrejt qytetarëve të tyre”, theksoi Fule.
I kontaktuar nga TCH, kabineti i Komisionerit sqaroi se nuk ka asnjë takim të parashikuar me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila merr pjesë të premten në komitetin e Stabilizim Asociimit.
Fule: Lodhje nga reformat
“Zgjerimi, topi në fushën e vendeve aspirante për në BE”
Gjatë një konference për të ardhmen e zgjerimit në Parlamentin Europian, komisioneri Stefan Fule foli për rritje të fenomenit të lodhjes nga reformat, te vendet kandidate dhe ato aspirante për në BE.
“Edhe më interesante është se, nëse ju shikoni nga afër, në fakt nuk është lodhja nga zgjerimi, por lodhja nga reformat në këto vende që është problem – topi është në anën e vendeve aspirante dhe kandidate. Dhe për të luajtur topin, ata duhet të kuptojnë se një tjetër dukuri, në fakt, nuk është në përputhje me qëllimin e tyre për të ecur përpara në axhendën e zgjerimit, dhe unë jam duke folur për një numër në rritje vendesh, që vënë axhendën e tyre të brendshme mbi axhendën e BE-së, edhe pse nuk ka asgjë të gabuar në lidhje me axhendën e brendshme, absolutisht jo, dhe unë kurrë nuk do të thoja se axhenda e BE-së duhet të zëvendësojë një të brendshme, por për herë të parë shoh politikanë, në disa vende, që shtyjnë përpara axhendën e brendshme në kurriz të lëvizjes së topit. Dhe topi është me rëndësi të luhet në vitin 2013, sepse unë nuk e di se cilat do të jetë rregullat e lojës në vitin 2014”, tha Stefan Fule, komisioneri europian për zgjerimin e BE-së.
Përveç institucioneve të BE-së, në konferencë merrnin pjesë përfaqësues nga shoqëria civile dhe sindikatat e rajonit. Shqipëria përfaqësohej nga Drejtori i kërkimeve në institutin “Agenda”, Gjergj Filipi.
“Arsyeja, pse bëhet kjo mbledhje këtu, është për të treguar se si janë lënë në harresë, në një farë forme, perspektiva të zhvillimit të qëndrueshëm në vende të Ballkanit Perëndimor, perspektiva të krijimit të një kohezioni të mirëfilltë social, të një bashkërendimi midis perspektivës europiane dhe perspektivës së zhvillimit vendas, në mënyrë që të kemi mundësi të fitojmë të gjithë nga pak nga e përbashkëta e mirë dhe gjithmonë të ndajmë kostot nga e përbashkëta jo kaq e mirë, në një kohë krize respektive”, tha Gjergj Filipi, drejtor i kërkimeve, instituti “Agenda”.
E organizuar nga raportuesja e PE për zgjerimin, Maria Eleni Koppa, konferenca diskutoi në panele të ndryshme për të ardhmen e zgjerimit, ndikimet e krizës apo dimensionin social në vendet aspirante dhe ato kandidate në BE.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel