Vetëm me votat e mazhorancës është miratuar kërkesa e PD-së për mbajtjen
e referendumit për tre projektligjet e njohura si të integrimit, të
cilat kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend.
Pasi ishte diskutuar gjatë mes deputetëve të dy palëve, në sallën e Kuvendit mbërriti kryeministri Berisha, duke bërë atë që e quajti një tjetër ofertë për opozitën, për të miratuar me konsensus tre ligjet, ndërsa socialistët kishin kundërshtuar më herët këtë nismë, që sipas tyre ishte bllofi ligjor dhe kushtetues i radhës.
“Sovrani do flasë, po nuk do jetë mirë. Unë ju ftoj në mënyrën më të sinqertë, urdhëroni t’i votojmë ligjet, por të drejtën e qytetarit, për t’u shprehur për çështje të rëndësishme, nuk mund ta mohojë kurrë dhe askush”, tha Berisha.
“Nisma është bllofi i radhës, populizmi shterpë i kryeministrit, gjithkush e di, edhe një profan në kulturën juridike, se referendumi as nuk mund të shqyrtohet dhe as nuk mund të zhvillohet brenda këtij viti. Qëllimi juaj është sa i lig, aq edhe i marrë. Ju nuk keni kurajon të pranoni se keni dështuar me integrimin e vendit dhe po shpikni alibinë e radhës për të thënë: Ne kemi dështuar, por fajin e ka opozita. Arsyeja? Se opozita nuk i miratoi 3 ligjet”, reagoi Xhafa.
Pasi ka treguar hezitim për ta kaluar menjëherë në votim kërkesën për referendum, që së fundi pati edhe kundërshtimin e komisionerit për zgjerim, Stefan Fyle, kryeministri replikoi me deputetët e opozitës.
“Unë me të mirë e pata, ju si të doni”, tha Berisha. “3 ligje, 3 sekonda…”, shtoi Topalli.
Pandeli Majko, më herët, i kujtoi kryeministrit Berisha se kishte dështuar me një nismë të ngjashme, kur ka qenë president, atë për miratimin e Kushtetutës.
“Sot, ashtu si 19 vjet më parë, nga i njëjti protagonist, përpara opinionit publik, po afrohet përsëri ideja e një referendumi, që kapërcen veprimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe funksionalitetin kushtetues të tij”, u shpreh Majko.
“Në karrierën time politike, momenti, ndër më të hidhurit, ka qenë humbja e referendumit të vitit 1994. E thashë këtë për të dëshmuar se nuk kam ndonjë pasion personal, por natyrisht një respekt të palëkundur për këtë institucion themelor kushtetues të demokracisë”, reagoi Berisha.
Kreu i qeverisë tha pas votimit se, gjithsesi, deri në referendum, kalimi i tre ligjeve do të mbetet opsion i parlamentit, ndërsa për opozitën kjo është gjëja e vetme që kërkon Brukseli.
“Sot, e deri në ditën që do të mbahet referendumi, përveç dy javëve përpara tij, në çdo kohë që opozita merr përsipër për të votuar ligjet, ne jemi të gatshëm të ofrojmë mirëkuptimin tonë dhe t’i votojmë 3 ligjet”, shtoi Berisha.
“Duhet të jemi shumë të qartë, që suksesi në procesin e integrimit euroatlantik nuk buron nga aftësia për të imponuar njëri-tjetrin, për të përdhunuar njëri-tjetrin, por buron nga aftësia jonë për kompromis. Buron nga aftësia jonë për të patur reforma të qëndrueshme, që fillojnë nga mirëkuptimi politik. Ky është edhe thelbi i qëndrimit të fundit të komisionerit për zgjerimin”, u shpreh Bushati.
Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votimin e kërkesës për referendum. Ata lanë sallën para se propozimi të hidhej për votim.
Miratohet privatizimi i HEC-eve dhe lotaria kombëtare
Kuvendi miratoi vetëm me votat e mazhorancës marrëveshjen për shitjen e katër HEC-eve si dhe atë të licencës për lotarinë kombëtare, që të dyja marrëveshje të kundërshtuara fort nga Partia Socialiste.
Sipas marrëveshjes së kaluar në parlament hidrocentralet Bistrica 1 dhe 2, si dhe hidrocentralet në Ulëz dhe Shkopet privatizohen për llogari të kompanisë “Kurum” për shifrën prej 109 milion eurove. Marrëveshja u kundërshtuar nga opozita që akuzoi mazhorancën se po fal pasuritë e vendit.
Në Kuvend u kalua edhe ligji për mediat audiovizive.
Top Channel