Eurozonë, rekord i ri për papunësinë

01/03/2013 15:40

Papunësia në Eurozonë përjetoi një rritje të re gjatë muajit janar, treguan të dhënat zyrtare të publikuara ditën e premte.

Raporti i “Eurostat” vlerësoi se në 17 vendet që përdorin monedhën e përbashkët, norma e papunësisë arriti vlerën rekord të 11,9% të forcës aktive të papunë.

Kjo është norma më e lartë e papunësisë që prej fillimit dhe përdorimit të monedhës euro, 15 vjet më parë dhe shfaq një rritje prej 0,1% në krahasim me muajin paraardhës.

Niveli më i lartë i papunësisë regjistrohet në Greqi, me 27% të forcës aktive dhe 56% të të rinjve të grupmoshës 18-25 vjeç, ndërsa vendi me papunësinë më të ulët është Austria, me 4,9%.

Vendet të tjera problematike përsa i përket papunësisë mbeten dy shtetet e Gadishullit Iberik, Spanja dhe Portugalia, ku shfaqen nivele prej 26,2% dhe 17,6% të forcës aktive për punë, përkatësisht.

Përsa i përket të gjithë bllokut të Bashkimit Europian, papunësia është në nivelin 10,8%.

Këto të dhëna publikohen ndërsa niveli i inflacionit në Eurozonë u zvogëlua në 2% në muajin janar.

Sipas ekspertëve, një forcim relativ i monedhës së përbashkët është ndikuar nga masat e forta të kursimit dhe rënia e fuqisë blerëse, që kanë ndikuar në rënien e sasisë së euros në treg.

Një e dhënë e tillë mund të ndikojë që Banka Qendrore Europiane të reduktojë normën bazë të interesit (0,75% aktualisht) në takimin e saj të ardhshëm, në mënyrë që të ndikojë në rritjen e likuiditeteve në treg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA