Integrimi i Rumanisë dhe Bullgarisë në Bashkimin Europian në vitin 2007 ndikoi në krijimin e një problemi social për BE-në, pasi qindra mijëra romë braktisën dy vendet ballkanike, në kërkim të një jete më të mirë në vendet perëndimore.

Kjo ishte hera e parë në histori që romët mund të përfitonin nga lëvizja e lirë dhe kjo dyndje masive detyroi Brukselin që të vendoste rregulla më të forta dhe të mos aplikonte të njëjtat rregulla të “Schengen”-it edhe për këto dy shtete.

Megjithatë, pavarësisht masave të marra, emigrimi i romëve, po ashtu si edhe dëbimi e riatdhesimi i tyre, janë dy fenomene që vazhdojnë të jenë dukshëm prezentë në Europë.

Në këto kushte, një fotograf britanik udhëtoi në Rumani për të dokumentuar kushtet që detyrojnë romët që të zhvendosen në kërkim të një jete më të mirë.

Në qytetin e Beia Mares, në veri të Rumanisë, fotografi arriti të kapte pamje të qarta të diskriminimit të kësaj popullsie.

Mbi 500 familje ishin vendosur në tenda të improvizuara, në temperatura në -26 gradë celcius, që kur ishin dëbuar nga zonat e tjera të qytetit.

Autoritetet lokale kërkuan shpërnguljen e tyre nga zonat e tjera të qytetit për t’i grumbulluar në disa godina strehimi të ndërtuara nga shteti, por tetë muaj më pas, romët vazhdojnë të jenë në kushte të mjeruara, me shumicën të tyre të papunë apo të punësuar në aktivitete të rënda, që merren me pastrimin e qytetit apo kanalizimeve.

Historia e Baira Mares përsëritet edhe në shumë qytete të tjera rumune apo më tej në Ballkan, duke mbetur një histori aktuale edhe për kushtet shqiptare.

Të përballur me këto kushte në vendin e tyre, duket e zakonshme që shumë romë rumunë e bullgarë vendosin që të rrezikojnë, në kërkim të një jete më të mirë në perëndim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA