Fundi i shkurtit shënon edhe tejkalimin me plot një muaj edhe të afatit që KQZ i vendosi vetes për mbylljen e dy projekteve-pilot të teknologjisë që do të përdoret në këto zgjedhje në dy qarqe të mëdha të vendit, identifikimin e zgjedhësve në Tiranë dhe numërimin elektronik në Fier.
Për opozitën, projektet janë të rrezikuara dhe sipas saj ka mungesë të plotë të transparencës për ecurinë e tyre. Por për herë të parë kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi për Top Channel informoi:
“Për Fierin është shpallur firma fituese, ndërsa për Tiranën është përzgjedhur kompania me të cilën po negociohet kontrata”, deklaron Lleshi.
“Afatet rrezikojnë proçesin, dy firmat duhet të testojnë projektet. Na shqetëson koha, por më shumë mungesa e transparencës”, replikon nga ana tjetër përfaqësuesi i PS, Genc Gjonçaj.
Ndërsa nuk është bërë ende shpallja publike e kompanisë që është përzgjedhur për identifikimin e zgjedhësve në Tiranë, kryetarja e KQZ-së është optimiste për projektin e numërimit në Fier.
“Në datë 23 mars do të bëhet testi për numërimin elektronik në Fier. Shpresojmë që do të funksionojë”, thotë zonja Lleshi. “Na mungon plotësisht informacioni”, ankohet socialisti Gjonçaj.
Në kushtet kur kanë skaduar të gjitha afatet për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, a ka më shanse që këto projekte të realizohen? “Shpresojmë që po”, thotë Lleshi.
Ndërsa përfaqësuesi socialist vlerëson: “Dështimi i tyre është përgjegjësi e KQZ-së dhe qeverisë. Një dështim eventual do të minonte besimin dhe do të kishte pasoja në proçes”.
Top Channel