
Kryeministri Sali Berisha deklaroi nga mbledhja e kabinetit të tij se
Qeveria i ka mbrojtur buxhetet e familjeve, duke mos lejuar rritjen e
çmimit të energjisë në tre vitet e fundit.
“Në mënyrë absolute gjatë tre viteve të fundit ne nuk kemi pranuar asnjë rritje cmimi për konsumatorin qytetar”, tha Berisha.
Formalisht, çmimet e energjisë për konsumatorët familjarë nuk janë rritur që prej vitit 2010 duke mbetur në nivelin 7.7 lekë për fashën e parë të konsumit prej 300 kilovatorë në muaj dhe 13.2 lekë për konsumin mbi këtë fashë. Por konsumatorët sërish kanë paguar më shumë. Së pari përmes mbifaturimeve dhe së dyti në një mënyrë të fshehtë, të cilin kryeministri e përmend edhe vetë.
“Ne kemi shpenzuar shumë nga buxheti dhe kompensuar cdo detyrim që rridhte në mënyrë që të mos lejojmë rritjen e cmimeve për qytetarin”, tha Berisha.
Qeveria nuk prodhon para. Fondet e buxhetit janë para të qytetarëve që paguhen me taksat e tyre. Ashtu si çdo kredi që merr kompania publike KESH paguhet sërish nga qytetarët. Vitin e kaluar Qeveria i dha 2 miliardë lekë kredi direkte KESH nga Fondi i Kontigjencës dhe lëshoi garanci edhe për 7 miliardë lekë të tjera, që korporata të merrte kredi nga bankat private.
Top Channel