PS, Muçmata para Asamblesë së Kukësit

27/02/2013 19:10

Një ditë pasi është prezantuar si kandidat i PS në Kukës, Vexhi Muçmata është prezantuar përpara anëtarëve të Asamblesë së këtij qarku, prezantim që është bërë nga sekretari organizativ Blendi Klosi.

Ky i fundit tha se Partia Socialiste në Kukës vjen me një objektiv të qartë, për një rezultat maksimal në qarkun verior. Klosi i ka mëshuar emrit të kandidatit kryesor që PS paraqet në këtë qark si emri që sipas tij do t’i garantojë PS maksimumin e votave.

Nga ana e tij, kandidati Vexhi Muçmata dha mesazhin e bashkimit: “Të gjithë së bashku jemi shumë, të ndarë jemi shumë pak. Prandaj së bashku duhet të shkojmë drejt fitores”, tha ai.

Qarku në fjalë kohët e fundit ka qenë objekt debatesh të brendshme, pas kundërshtive të deputetit socialist Asllan Dogjani për emërimin e drejtuesve të rinj të PS të Kukesit.

Anëtarët e Asamblesë Socialiste të këtij qarku i kanë uruar mirëseardhjen kandidatit Vexhi Muçmata, duke vlerësuar figurën e tij si dhe domosdoshmërinë për t’u bashkuar të gjithë dhe për të arritur një rezultat sa më të mirë në zgjedhjet e 23 qershorit.

Top Channel