
Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle bisedoi në Bruksel, në një takim me
kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mbi situatën në
Shqipëri për reformat, zgjedhjet dhe retorikën nacionaliste.
“Kemi diskutuar lidhur me rëndësinë e dhënies së impulseve të reja procesit të integrimit europian të vendit përpara zgjedhjeve, por njëkohësisht edhe pas tyre, ashtu sikurse kemi vlerësuar se zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për të përshpejtuar integrimin europian të Shqipërisë”, tha Meta.
Top Channel: Z.Meta, kur flisni për përshpejtimin e procesit integrues, impulset e reja apo reformat integruese, a keni parasysh dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë apo kushtin e një gjyqësori të pavarur, pa ndikime nga politika?
Ilir Meta: Unë i kam parasysh të gjitha ato kërkesa, të cilat janë konsideruar si një minimum, por edhe gjithë të tjerat të cilat bëjnë fjalë për standarte më të larta në të gjitha fushat dhe në të gjitha aspektet.
Pas takimit Meta-Fyle, Komisioni lëshoi një memo me nëntitull “Zgjedhjet, si test thelbësor për demokracinë”.
Sipas Komisionerit për zgjerim fushata aktuale nuk duhet përdorur ndërkohë si justifikim për ngadalësimin e reformave europiane dhe qeveria dhe opozita duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për afrimin e Shqipërisë me BE-në.
“Është thelbësore që liderët politikë të bëjnë pjesën e tyre për të garantuar zgjedhje në përputhje me standartet ndërkombëtare, për të përmirësuar besueshmërinë dhe peshën e institucioneve demokratike si dhe për të përforcuar llogaridhënien e politikanëve ndaj popullit shqiptar. Kur flasim për zgjedhjet, është e rëndësishme të garantohet pjesmarrja më e lartë e mundshme e votuesve dhe kthimi tek punët e axhendës europiane shumë shpejt pas zgjedhjeve”, thekson Stefan Fyle.
I pyetur nga TCH mbi kritikat e perëndimit për retorikën nacionaliste, Meta deklaroi se Shqipëria do të vijojë të luajë rol konstruktiv në rajon.
“Mendoj se politika e jashtme e Shqipërisë nuk ka ndryshuar, ajo nuk mund të ndryshojë. Shqipëria do të vazhdojë të jetë shembulli më pozitiv i politikës së fqinjësisë së mirë”, tha Meta.
LSI njoftoi se Ilir Meta zhvilloi në Bruksel takime dhe me disa përfaqësuesë të vendeve anëtare të BE-së dhe Partisë Socialiste Europiane.
Pergatiti ARTA TOZAJ
Top Channel