Koalicioni kryesor opozitar në Egjipt do të bojkotojë zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të thërritura nga presidenti Mohamed Morsi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpërndau Asamblenë e Përgjithshme të vendit.
Fronti i Shpëtimit Kombëtar, një koalicion që në përbërje të tij ka pjesën më të madhe të partive dhe organizatave liberale që kërkojnë një shtet laik, deklaroi se nuk ka asnjë garanci që zgjedhjet të jenë transparente, ndaj mori vendimin për bojkotin e tyre.
Gjykata Kushtetuese egjiptiane i cilësoi të jashtëligjshme zgjedhjet parlamentare të mbajtura në janar të vitit të kaluar. Pas këtij vendimi të gjykatës, presidenti Moris njoftoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja që do zhvillohen në katër turne duke nisur që nga prilli.
Që prej zgjedhjeve të janarit të kaluar, Egjipti është ndarë thellë politikisht. Në njërin krah qendron opozita liberale dhe laike, ndërsa në krahun tjetër, në pushtet nëpërmjet presidentit Mohamed Morsi qendrojnë islamikët e moderuar.
Top Channel