Bersani: Kombi në gjendje dramatike

26/02/2013 23:20

Në fjalimin e tij të parë, që prej zgjedhjeve të së dielës e së hënës, lideri i qendrës së majtë, Pier Luigi Bersani, tha se Italia është në një gjendje dramatike dhe vendi ka ngecur në një ngërç politik.

Luhatja e tregjeve financiare dhe euros ishte një nga sinjalet e para, që tregoi se çfarë pasojash mund të ketë situata e krijuar në Itali, edhe për eurozonën e më gjerë. Por, Bersani, koalicioni i të cilit siguroi pjesën më të madhe të vendeve në parlament, nuk identifikoi një partner të preferuar qeverisës. Ai u mjaftua me deklaratën se të gjitha partitë politike duhet të mbajnë përgjegjësi për vendin e tyre.

“Jemi të ndërgjegjshëm se kombi ndodhet në një situatë dramatike, e jemi gjithashtu të ndërgjegjshëm për rreziqet që i kanosen Italisë”, u shpreh Pier Luigi Bersani, lider i qendrës së majtë, Itali.

Lideri i qendrës së djathtë, Silvio Berlusconi, u shpreh më herët se zgjedhjet e reja duhen  shmangur e bëri thirrje për një periudhë reflektimi, që sipas analistëve, nënkupton se ai mund të jetë duke marrë parasysh një aleancë shumë të çuditshme dhe të vështirë me kundërshtarët e qendrës së majtë.

Politikanët europianë janë mbërthyer nga ankthi, pas situatës së krijuar në Itali. Franca dhe Gjermania apelojnë për vazhdimin e reformave, ndërsa Spanja nuk e fshehu shqetësimin e thellë për pasojat financiare.

Liderët e bllokut u përpoqën të tregohen të përmbajtur, por në deklaratat e tyre shqetësimi ishte i lexueshëm. Pier Luigi Bersani ka mjaftueshëm vota për të dominuar dhomën e deputetëve, por kjo nuk vlen për senatin dhe, edhe nëse bashkon forcat me Mario Montin, nuk do të jetë në gjendje të krijojë një mazhorancë atje.

Mund të përpiqet të drejtojë një qeveri pakice, por ajo do të ishte qartësisht e paqëndrueshme. Nga ana tjetër, do të ketë, ndoshta, edhe tentativa për një koalicion më të gjerë, për të drejtuar vendin në një kohë krize të thellë ekonomike, por ai ka pak gjasa të mbijetojë deri në shtator.

Dhe, pavarësisht asaj çfarë do të bëjë Beppe Grillo, shpejt ose vonë, shtojnë ekspertët, Italisë mund t’i duhet të shkojë sërish në votime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA