Banka Botërore e kushtëzoi rritjen e mbështetjes financiare për Shqipërinë me arritjen e një marrëveshje mes saj dhe qeverisë për administrimin e financave publike.
“Ne jemi në diskutime me qeverinë për të dhënë mbështetje financiare, por gjithashtu duhet të arrijmë edhe një marrëveshje të përgjithshme mbi kuadrin makroekonomik të vendit. Ka negociata që po kryhen. Unë besoj se jemi afër një zgjidhjeje dhe kur kjo të ndodhë ne do të jemi të aftë të vazhdojmë përpara me programin e mbështetjes për Shqipërinë”, deklaroi Ellen Goldstein, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perendimor.
Ndërsa shefja e zyres se BB në Tiranë tha se shumë shpejt ky institucion do të dalë edhe me një paketë të hollësishme rekomandimesh për masat që duhen ndërmarrë për të vënë nën kontroll borxhin.
“Ne jemi duke ndërmarrë një analizë të përgjithshme të financave publike. Do të jetë një analizë e hollësishme për të kuptuar se cilat janë shkaqet e imbalancave, cilat janë opsionet për të ndërhyrë dhe impakti fiskal që ka secila prej tyre. Këto rekomandime do të përmblidhen në një draft që do i dërgohet qeverisë së re që do dalë nga zgjedhjet. Por emergjente është shlyerja e detyrimeve të prapambetura”, tha Ksenyia Lvovski.
Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, drejtueset e Bankës Botërore dhanë një mesazh paraprak edhe për qeverinë e re që do dalë pas 23 qershorit.
“Cilado qeveri që do të formohet pas qershorit të këtij viti do ta gjejë veten me objektivin kryesor për të përmirësuar gjendjen e financave publike, për të përmirësuar efiçencën e administratës tatimore dhe për të rritur parashikueshmërinë e regjimit fiskal. Nuk besojmë se ka vend për ulje taksash dhe kjo vlen jo vetem për Shqipërinë, por për gjithë rajonin”, nënvizoi Lvovski.
Banka Botërore e konsideron borxhin e lartë publik si një nga rreziqet më të mëdha të ekonomisë shqiptare dhe i ka kërkuar me ngulm qeverisë uljen e tij.
Top Channel