Me votat e deputetëve të mazhorancës, parlamenti i Maqedonisë miratoi ndryshimet në qeveri  pas dorëheqjes së ministrave të BDI-së, javën e kaluar.

Zv/kryeministër për Euro-integrime është emëruar Fatmir Besimi, Ministër i Mbrotjes Talat Xhaferri dhe Ministër i Pushtetit Lokal, Tahir Hani. Ndryshimeve në kabinetin qeveritar u ka paraprirë një debat i ashpër mes deputetëve shqiptarë, pasi nga partia opozitare PDSH kërkuan dorëheqjen e gjithë ministrave të BDI-së për shkak të dëmeve dhe mashtrimeve ndaj elektoratit shqiptar.

“BDI edhe një herë dëshmon se është parti që funksionin vetëm për t’i kënaqur epshet e një grupi të vogël, që me cdo kusht duhet të jenë në pushtet, mundësisht tërë jetën. Ata janë ta gatshëm të bëjnë gjithcka, lloj-lloj kompromisi, vetëm e vetëm të rrijnë në pushtet. Gjithcka janë të gatshëm të shesin për t’i ruajtur kolltuqet e tyre”, akuzoi Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

“Unë e kuptoj përse ju si parti politike jeni kundër kandidaturës së z. Xhaferi për Ministër të Mbrotjes. Sa herë që z. Talat Xhaferi del në publik, juve ju kujtohen ato videot të cilat i ka publikuar ai, ku shihet se si strukturat tuaja partiake kanë manipuluar me zgjedhjet e 1 qershorit dhe se si kanë zbatuar dhunë ndaj votuesve shqiptarë, jo ndaj maqedonasve, sepse ju jeni patriot ama ndaj shqiptarëve jo ndaj maqedonasve”, deklaroi Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

Ndryshimet në kabinetin qevertar pasuan pas dorëheqjes së Teuta Arifit nga posti i zv/kryeministres për eurointegrime dhe Nevzad Bejtës nga Ministria e Pushtetit Lokal për shkak të pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet lokale të 24 Marsit.

Top Channel