Serbia është duke bërë gjithçka që të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, por të zgjidhë disa probleme të rëndësishme.

Në prag të vazhdimit të bisedimeve, zyrtarët serbë thonë se Serbia ka bërë progres të rëndësishëm në bisedimet me Kosovën dhe për këtë e meriton datën e fillimit të negociatave për integrim.

Alleksandar Vulin, shef i zyrës për Kosovën në qeveri, ka thënë se Serbia është duke i bërë gjërat e mundshme pa e njohur Kosovën, pa dhënë ulëse në Kombet e Bashkuara dhe duke mos bërë veprime për të cilat nuk ka kthim pas.

“Nëse do të pranohej platforma e Serbisë, të gjitha problemet do të zhdukeshin”, ka thënë Vulin, i cili ka theksuar se edhe Sllobodan Millosheviç ishte akuzuar për Marrëveshjen e Dejtonit, por tani Republika Serbe është garantuese e mbijetesës së serbëve në Bosnje.

Kryeministri Ivica Daçiç ka thënë se bisedimet janë të rëndësishme për të zgjidhur problemet. Kurse zëvendëskryeministri Alleksandar Vuçiç shpreson që BE-ja ta kuptojë se Serbia ka një qasje civilizuese në marrëdhëniet me shqiptarët.

“Der Standard”: Kthesa e Serbisë

Qeveria e Serbisë ka hartuar një propozim për shpërbërjen e strukturave
paralele, që do të paraqitet në takimin e radhës mes kryeministrave
Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç.

Lajmin e bën të ditur gazeta austriake “Der Standard”, sipas të cilës propozimi është që përfaqësuesit e minoritetit serb në Kosovë të mbajnë kontakte si me qeverinë serbe, ashtu dhe me atë kosovare.

“Ndonëse publikisht Beogradi zyrtar vazhdon me kritika dhe kundërshton pavarësinë e Kosovës, në planin diplomatik ai po shprehet i gatshëm për të arritur një kompromis”, shkruan gazeta në numrin e sotëm të saj.

Sipas saj, gatishmëria e Beogradit për të arritur një kompromis me Prishtinën do të jetë dhënia në qershor e datës së nisjes së negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE.

“Është pikërisht presidenti serb Tomisllav Nikoliç që ka bërë këtë kthesë të befasishme në qëndrimin e tij kundrejt Kosovës”, shkruan “Der Standard”.

Gazeta austriake shton më tej se qëndrimi në fjalë i Beogradit mbështetet në moton “të shpëtojmë atë që mund të shpëtohet”, pasi politika serbe po ndërgjegjësohet se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Shpërbërja e institucioneve paralele është një kërkesë e hershme që Brukseli i ka bërë Serbisë për t’i dhënë në këmbim datën e negociatave të anëtarësimit.

Kushti në fjalë ishte avancuar që në vitin 2011 nga kancelarja gjermane Angela Merkel, gjatë një takimi me presidentin e atëhershëm të Serbisë, Boris Tadiç.

Top Channel