Pas festës dhe urimeve për përvjetorin e pestë të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi mblodhi kabinetin qeveritar për t’i informuar për takimin e radhës me homologun e tij serb Ivica Daçiç.

Ai tha se në vitin e gjashtë të shtetësisë Kosovën e presin shumë sfida duke përmendur këtu në radhë të parë dialogun për fqinjësi të mirë me Serbinë. Shefi i ekzekutivit kosovar do të udhëtojë drejt Brukselit për një raund të ri bisedimesh me kryeministrin serb Ivica Daçiç me datë 19 shkurt.

Këtë herë temë bosht e takimit do të jenë strukturat e Serbisë në veriun e Kosovës dhe kthimi në punë i gjykatësve dhe prokurorëve.

“Përkushtimi ynë do të jetë shumë i qartë për zgjerimin e aktiviteti tonë shtetëror në cdo cep të Republikës. Rend dhe ligj, zgjedhje në veri, shpërbërjen e strukturave të Serbisë dhe integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës”, tha Thaçi.

Në këtë kuadër qeveria ka tri parime të cilat thotë se nuk do t’i shkelë.  E para ka të bëjë me krijimin e një sistemi unik të drejtësisë, e dyta që ligjet e aplikueshme të Republikës të zbatohen në veri dhe e treta që gjyqtarët dhe prokurorët e gjykatës në veri të emërohen nga Këshilli dhe Prokuroria e Kosovës.

Me të arritur qëllimin e dialogut, ekzekutivi kosovar paralajmëron se do të bëjë kërkesën për nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje me Serbinë e cila do të garantonte respektimin e integritetit territorial.

Top Channel