Kryetarja e komisionit për çështjet evropiane në Parlamentin francez, Danielle Auroi ka deklaruar se njohja e Kosovës duhet të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Zyrtarja franceze e ka bërë këtë deklaratë pavarësisht se ka pranuar se nuk bëhet fjalë për një kusht të shkruar, por për një kusht në formë verbale.
“Ky nuk është një kusht i shkruar, por nuk do të ketë hyrje të Serbisë dhe as të Kosovës në BE për aq kohë sa dy vendet nuk do të pajtohen plotësisht dhe nuk do të pranojnë njëra-tjetrën”, ka deklaruar Auroi për gazetën serbe “Veçernje Novosti”.
E pyetur se si mund të vendoset një kusht i tillë kur kërkesa për njohje nuk i është paraqitur Serbisë nga Brukseli, Auroi është përgjigjur duke thënë se:
“Nuk shoh mënyrë tjetër se si BE mund të pranojë në radhët e tij një shtet që nuk njeh shtetin tjetër. Kjo për ne do të jetë kushti thelbësor”.
Aktualisht Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Brukselit, po zhvillojnë bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, duke nënshkruar disa marrëveshje.
Por nga takimet e deritanishme Beogradi zyrtar ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të njohë pavarësinë e Kosovës, edhe nëse një gjë e tillë do t’i kërkohet nga BE.
Top Channel