As pamja e re e monumentit “Newborn” dhe as flamujt qe valeviten gjithandej Kosovës për nder të pesë-vjetorit të pavarësisë nuk kanë se si t’i japin shkëlqim ekonomisë së dobët të shtetit më të ri në Europë.

Njohës të çështjeve ekonomike japin vlerësime alarmante për tatëpjetën që ka marrë sektori i ekonomisë si pasojë e mungesës së vizionit për zhvillimin.

Në pesë-vjetorin e pavarësisë, ekzekutivi kosovar kritikohet se nuk ka mundur të bëjë reformat e duhura ekonomike në mënyrë që ta nxjerrë Kosovën nga grupi i vendeve të pazhvilluara në botë.

”Kosova mund të kishte arritur një nivel shumë më të mirë të zhvillimit ekonomik se ky që ka, por problemi kryesor qëndron tek papërgjegjshmëria e qeverisë, e cila nuk ka arritur të ketë një vizion për zhvillimin ekonomik dhe nuk ka bërë asnjë reformë të rëndësishme në këtë drejtim”, deklaroi profesori universitar Musa Limani.

”Në anën tjetër kemi patur një stanjacion të të gjithë treguesve makroekonomikë të Kosovës, duke nisur nga papunësia, me një inflacion prej 30% në pesë vite dhe defiçiti tregëtar, pra importet. Kur i sheh këto tregues kupton se kemi pasur pak apo aspak politikë për të ndrequr këto probleme, ndërsa aferat korruptive kanë qenë të pranishme gjithandej”, tha Lumir Abdixhiku, i institutit “Riinvest”.

Përqendrimi i po thuaj gjithë kuletës së shtetit në shtrimin e rrugëve, anashkalimi i investimeve në sektorin e industrisë dhe prodhimit, politikat e këqija kreditore dhe politika e dobët për tregti të jashtme janë indikatorët kryesor që kanë bërë që në  këto pesë vjet ekonomia kosovare të stagnojë, norma e papunësisë të jetë e lartë dhe inflacioni të ndikojë edhe më shumë në rritjen e nivelit të varfërisë.

Sipas parashikimit që është dhënë me buxhetin e këtij viti, mbi 80% të investimeve kapitale nga mjete buxhetore, parashifen të shkojnë në rrugë.

”Ne na duhen rrugë dhe qeveria tenton të arsyetojë që në fillim duhet rrugë dhe pastaj zhvillimi ekonomik. Megjithatë, popullata do bukë, pastaj asfalt. Është industria ajo që krijon vende pune, të ardhura kombëtare dhe është ajo që mund të perfeksionojë proceset teknologjike në ekonominë e një vendi”, tha Limani.

”Politikat fiskale nuk kanë shërbyer për t’u pavarësuar nga importi, por përkundër uljes së tatimit në 2009-n kemi pasur vetëm rritje. Nuk është bërë asnjë përpjekje për të stimuluar produktin vendas”, shtoi Abdixhiku.

Ndërkaq, edhe procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike e shoqërore që shumë herë është vlerësuar si promotor i gjenerimit të vendeve të reja të punës në Kosovë, vlerësohet “sui generis”.

”Ne nuk kemi pasur transferim të pronës, por korrupsion dhe zhvlerësim të aseteve publike e ndërmarrjeve publike”, shtoi Abdixhiku.

Qytetarët, po thuaj ndajnë të njëjtat shqetësime. Standardi jetësor i tyre nuk është përmirësuar dhe papunësia zë vendin e parë.  Zënia e një vendi pune ne Kosovë ka filluar të shihet si iluzion.

Ana pozitive e ekonomisë kosovare sipas ekspertëve është anëtarësimi në institucionet botërore me fuqi financiare sic janë Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe së fundi anëtarësimi në Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA