Rrugët e Prishtinës dukeshin të ngushta për të përballuar fluksin e njerëzve, që kishin ardhur nga të gjitha anët e Kosovës, dhe jo vetëm, për të festuar 5-vjetorin e Kosovës shtet.
Që në orët e para të mëngjesit, sheshet “Nënë Tereza” dhe “Zahir Pajaziti” ishin bërë gati për të mbajtur “Paradën e Pavarësisë”, e cila filloi kur dha urdhër presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila është edhe Komandante Supreme e FSK-së.
Nën duartrokitjet e qytetarëve, kuadrate të FSK-së parakaluan njëra pas tjetrës, ndërkaq, për herë të parë u shfaqën edhe disa mjete të blinduara ushtarake.
Pas tyre, zunë vend edhe njësitet elite të Policisë së Kosovës dhe pjesëtarë të Agjencionit për Reagim në Emergjenca.
Për të parë nga afër këtë paradë ishin të ftuar të shumtë. Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, e ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, dhe homologu i tij nga Maqedonia, Fatmir Besimi; liderë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës e ushtarakë të shumtë nga vende të ndryshme.
Përparimi, që ka bërë Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës, ka qenë boshti i fjalimeve, që janë mbajtur para mijëra qytetarëve.
Para këtij parakalimi, presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, theksoi se Kosova “po ndërton vizionin e një të ardhmeje të qartë Euroatlantike”.
“Kosova ka qenë dhe është kontribuese e rëndësishme për zhvillimin e raporteve të mira fqinjësore. Në këtë ditë të shënuar, ne nderojmë ata që punuan për atdheun. Që nga çlirimi i vendit kemi krijuar policinë e Kosovës që ka pasur kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e rendit në vend”, shtoi Jahjaga.
Zëvendës-ambasadorja amerikane në Prishtinë, Kelly Degnan, ka sjellur urimet e popullit amerikan dhe presidentit Barak Obama, për 5-vjetorin e Pavarësisë, i cili ka vlerësuar përparimin e bërë në Kosovë.
“Ky përparim, në veçanti është i dukshëm në zhvillimin e sektorit të sigurisë së Kosovës. Gjatë 5 viteve të shkuara, Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave kanë luajtur rol jetik për të mbajtur qytetarët e Kosovës të sigurt dhe të qetë. Ju keni treguar se Kosova mund të jetë kontribuese e sigurisë këtu në vend dhe në rajon, dhe askush nuk duhet ta zhvleftësojë këtë arritje”, tha Kelly Degnan.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për vizionin e FSK-së, siç e quajti ai, një forcë e paqes dhe e lirisë së njerëzimit.
Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi nënvizoi: “Festojmë 5-vjetorin e shtetit sovran dhe demokratik të Kosovës. Sot, shteti ynë njihet nga gjysma e shteteve anëtare të OKB-së.”
Në muajin qershor, Kosovës i hapet rruga që të rishikojë statusin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe ajo që shpresohet është se në përvjetorin e 6-të të Pavarësisë së Kosovës, FSK të shndërrohet në ushtri dhe me këtë status të bëjë parakalimin e radhës.
Top Channel