Kosova është në përgatitjet e fundit të festimeve për 5-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, e kryer më 17 shkurt të vitit 2008.  Në kuadër të këtij përvjetori, udhëheqësit politikë kosovarë kanë bërë homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

Në homazhe kanë marrë pjesë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, të cilët kanë vlerësuar kontributin e dhënë nga familja Jashari në çlirimin e Kosovës.

Ndërsa gjatë pasdites liderët politikë të Kosovës kanë bërë homazhe pranë varrit të presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, ku dhe kanë vendosur buqeta me lule. Në fjalën e saj presidentja Atifete Jahjaga ka vlerësuar figurën e Rugovës si një lider që hodhi themelet e para të shtetit të Kosovës.

“Ibrahim Rugova, me platformën e tij politike për liri, pavarësi dhe demokraci, mobilizoi si asnjëherë më parë në historinë e shtetit tonë popullin, duke e orientuar atë drejt vlerave më të mirëfillta të vendeve të Bashkimit Evropian. Duke e orientuar popullin tonë që të jetë një vend i lirë, sovran dhe i pavarur, duke vendosur miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara”, ka deklaruar Jahjaga.

Ndërsa kryeministri Thaçi ka shprehur vlerësimet më të larta për Rugovën në këtë 5-vjetor, duke e vënë theksin tek angazhimi shumëvejçar i tij për liri dhe pavarësi.

Nga ana tjetër, kreu i LDK-së, Isa Mustafa është shprehur se, homazhet tek varrezat e dëshmorëve dhe tek varri i presidentit Rugova nderojnë luftën dhe rezistencën e tyre afatgjatë për liri dhe pavarësi.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të 2008-ës, 9 vjet pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s që i dha fund raprezaljeve serbe ndaj popullsisë shqiptare. Pavarësia u njoh menjëhërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e pasuar nga vendet e tjera të Europës, përjashto 5-shen e BE-së që ende se ka ndërmarrë një hap të tillë.

Top Channel