
Një tërmet i fuqishëm prej 4.6 ballësh të shkallës Rihter ka tronditur të premten zonën e Halkidhikisë, në lindje të Selanikut, një zonë ku jetojnë shumë emigrantë shqiptarë.
Lëkundjet e termetit janë ndjerë pothuajse në të gjithë Greqinë veriore, në Kavalë, Dramë, Komotini dhe Selanik.
Tërmeti është regjistruar në orën 16 e 42 të pasdites të së premtes, me orën lokale, 41 kilometra në veriperëndim te malit Athos dhe me epiqendër në 23 kilometra thellësi.
Deri tani nuk ka pasur informacione për dëme në njerëz, ndërsa banorë të zonës kanë dëshmuar se disa prej shtëpive të tyre janë dëmtuar lehtë.
Pas tërmetit janë regjistruar edhe lëkundje të tjera sizmike, një prej të cilave me fuqi 3.4 ballë të shkallës Rihter.
Sizmologët vlerësojnë se goditja e parë ka qenë termeti kryesor dhe njoftojnë banorët të jenë të qetë, ndersa po ndjekin me vëmendje fenomenin.
Top Channel