Më shumë se deklaratat fajësuese të kryeministrit të Kosovës, Brukselit i intereson sjellja e tij konstruktive në dialogun me Serbinë.
Kabineti i Catherine Ashton konfirmoi të premten zyrtarisht zhvillimin e takimit të pestë Thaçi-Daçiç javën e ardhshme.
“Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton do të presë kryeministrat Thaçi dhe Daçiç që përfaqësojnë dy palët. Takimi do të nisë të martën, më 19 shkurt”, konfirmon një deklaratë e zëdhënëses së Ashton.
Takimi i ardhshëm, i parashikuar si më i vështiri nga Përfaqësuesja e Lartë, pritet të jetë dhe më i gjati, me fokus tek zgjidhja e çështjes së veriut.
Për këto bisedime Thaçi dhe Daçiç kanë tashmë edhe bekimin e presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, pas shtrëngimit të parë të duarve nga Jahjaga dhe Nikoliç më 6 shkurt në Bruksel.
Daçiç: Takimi më i vështirë
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se takimi i ardhshëm me homologun Thaçi do të jetë më i vështiri për Serbinë, pasi në të do të diskutohet për institucionet paralele.
I cituar nga mediat serbe, Daçiç ka vlerësuar se zgjidhja më e mirë për këtë problem do të ishte një marrëveshje për funksionimin e bashkësive të komunave serbe.
“Pa këtë marrëveshje, Serbia nuk do të ketë as të drejtë morale e as politike që të heqë institucionet e veta në Kosovë, që edhe ashtu janë në numër të vogël”, ka thënë Daçiç.
Kryeministri serb, i ndodhur së fundmi në një “acar politik” për shkak të takimeve të tij me një eksponent të botës së krimit, ka hedhur sërish poshtë mundësinë e njohjes së Kosovës.
“Platforma dhe rezoluta të miratuara më herët në Parlamentin e Serbisë e bëjnë të pamundur një gjë të tillë”, ka shtuar Daçiç.
Top Channel