Instituti Kombëtar i Statistikave në Greqi publikoi të dhëna shokuese që tregojnë se thellimi i krizës në vend dhe reformat e ashpra financiare kanë gjunjëzuar akoma më shumë ekonominë dhe vetë grekët.

Sipas shifrave, në muajin nëntor të vitit 2012 papunësia në Greqi arriti në 27 për qind, që është edhe kuota më e lartë në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, papunësia tek të rinjtë nga mosha 15 deri 24 vjeç ka arritur statistikën tjetër rekord prej 61.7%.

Ndërkohë, një raport për krizën i këtij instituti tregoi se ekonomia greke është tkurrur me 6% në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, ndërsa reçesioni për të gjithë vitin 2012 ka qenë në shifrën prej 6.5%, shumë më i lartë se parashikimet.

Gjithashtu, sipas raportit të fundit të Institutit të Punës, 3.9 milionë greke ndodhen nën kufirin e varfërisë, 800.000 më shumë se një vit më parë, pasi nga viti 2010 deri më sot pagat në të gjithë sektorët janë ulur deri në 50%, ndërsa çmimet, jo vetëm që qëndrojnë të pandryshuara, por kanë edhe tendencë rritjeje.

Karakteristik është fakti se edhe sistemi i ri i tatimeve ka bërë që të shtohet me mbi 500 milionë euro tatimi mbi të ardhurat e qytetarëve, ndërsa janë pakësuar me 1.1 miliard euro taksat e bizneseve. Greqia mban gjithashtu edhe rekordin për numrin e protestave qe kanë qenë mesatarisht gati 15 në ditë përgjate vitit të kaluar në të gjithë vendin.

Analistët shprehen se qeveria e koalicionit trepartiak është e suksesshme vetëm në vendosjen e masave financiare, ndërsa vendi ka nevojë për investime dhe reforma strukturore, pasi PBB është reduktuar në këto katër vjet me 25%, një shifër kjo e paparë në asnjë vend europian që pas Luftës së Dytë Botërore.

Në intervistën e fundit dhënë BBC, lideri i së Majtës Radikale dhe kreu i opozitës Aleksis Tsipras, duke iu referuar këtyre të dhënave shokuese që ka sjellë programi i reformave të imponuara nga kreditorët e vendit, e cilëson kabinetin Samaras si qeverinë më të djathtë dhe më ekstreme që prej juntës së vitit 1974, pasi po ushtron politikën më barbare për qytetarët e saj duke krijuar një klimë frike dhe terrori në shoqërinë greke.

Top Channel