
Policia e Kosovës njofton se ka marrë masat e nevojshme për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve ditën e festës së pavarësisë.
Të dielën më 17 shkurt, nga Policia e Kosovës do të ndërmerren këto masa:Ofrimi i kushteve për qarkullimin normal për të gjithë shfrytëzuesit të komunikacionit rrugor, udhëzimet e duhura për parkingje të transportit komercial, autobusët dhe makinat e udhëtarëve, krijimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Njësiti rajonal i trafikut do të veprojë në të gjitha rrugët kryesore të rajonit të Prishtinë dhe në qytete duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të udhëzimit të automjeteve dhe vendosjen në vendparkimet e planifikuara.
Policia njofton se në të gjitha udhëkryqet që lidhin rrugërt kryesore me qendrën e Prishtinës do të ketë patrulla policie të cilat do t’i udhëzojnë drejtuesit e automjeteve për t’i parkuar automjetet e tyre në pjesët e caktuara për parkimin brenda qytetit dhe jashtë tij.
“Për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten me këtë rast në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusim qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre me makina”, thuhet në njoftimin e policisë.
Top Channel