
Në skenën politike të Kosovës ka shkaktuar reagime të ndryshme deklarata
e një ditë më parë e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili
ashpërsoi gjuhën ndaj Brukselit, duke thënë se nëse Brukseli vazhdon të
sillet kështu, atëherë shqiptarëve nuk iu mbetet tjetër vetëm të
akomodohen më së miri në Bruksel, si një shtet i vetëm, ka zgjuar
reagime të ndryshme në skenën politike në Kosovë.
Kryeministri Thaçi nga foltorja e Kuvendit ka deklaruar se Kosova ka miratuar liberalizimin e vizave para dy vjetësh, ndërsa ka kritikuar qasjen e Brukselit ndaj Kosovës, duke shtuar se problemi nuk qëndron në Prishtinë, por tek qëndrimi i padrejtë politik dhe mosuniteti i vendëve të BE-së sa i përket statusit politik të Kosovës.
Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, nuk ka dashur ta komentojë këtë deklaratë, veçse ka thënë se shqiptarët në përgjithësi dhe Kosova në veçanti e ka vetëm një alternativë, integrimin në BE.
“Unë nuk dua të merrem me komentimin e deklaratave. Ne kemi thënë shpeshherë që sa i përket rrugës së integrimit, shqiptarët në përgjithësi dhe Kosova në veçanti e ka vetëm një alternativë, rrugën e integrimeve në BE”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, në dy subjektet opozitare, LDK dhe AAK nuk e përshëndesin një gjuhë të tillë.
“Deklaratat të tilla janë marketing politik dhe asgjë më shumë. Eshtë një tentim i shfajësimit për dështimet e kësaj qeverie dhe kësaj partie në pushtet dhe asgjë më tepër”, tha Ismet Beqiri, kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së.
“Mendoj se fjalori që krijon kundërshti mes Kosovës dhe Brukselit nuk është në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Mendoj se Kryeministri nuk ka patur nevojë të shprehet ashtu. Mendoj se duhet të lexohet me kujdes raporti që ka ardhur dhe të gjenden ato të cilat eventualisht nuk janë të vërteta”, tha Ardian Gjini, kryetar i Grupit Parlamentar, AAK.
Ndryshe nga opozita, në Partinë Demokratike të Kosovës e cila ka shumicën në Kuvend, nuk komentojnë deklaratën e kryeministrit, sepse thonë se Kryeministri është më i informuari në vend.
“Mendoj se Kryeministri është njeriu më i informuar në vend, ka kontakte të drejtpërdrejta dhe unë mendoj se kemi cfarë komentojnë në deklaratën e tij”, u shpreh Adem Grabovci, kryetar i grupit parlamentar të PDK-së.
Këto deklarata u bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u diskutua për seancën solemne me rastin e 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, që do të mbahet më 17 shkurt, ku u konfirmua se do të ketë mysafirë të shumtë, në mesin e të cilëve edhe deputetë nga Shqipëria dhe vendet tjera nga rajoni.
Top Channel