Nga dita e premte në qytetet e Kosovës do të fillojnë festimet për 5-vjetorin e pavarësisë. Sipas raportimeve të “RTK”, qeveria ka ndarë 100 mijë euro për të mbuluar shpenzimet që do të bëhen për këtë ditë të madhe.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi deklaroi të enjten se në nivel qendror dhe lokal kanë filluar tashmë të gjitha përgatitjet. “Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë nga të gjithë ne, për faktin se nuk ka pasur reflektime politike apo partiake nga asnjë prej nesh”, tha Kuçi.

Në mbledhjen e qeverisë ministri i Kulturës, Memli Krasniqi kërkuar ndarjen e 170 mijë eurove për shënimin e pesëvjetorit, por kryeministri Thaçi mori vendim për ndarjen e vetëm 100 mijë eurove.

Aktivitetet do të fillojnë nesër me dekorimin e të gjitha qyteteve të Kosovës. Në të gjitha shkollat ora e parë e mësimit do t’i dedikohet ditës së pavarësisë, ndërsa në orën 12 në Universiteti i Prishtinës do të organizojë një akademi në nder të 43-vjetorit të këtij institucioni.

Më 16 shkurt do të bëhen homazhe në Prekaz, Klinë e Glloxhan tek varri i ish-presidenti Ibrahim Rugova, për të përfunduar tek shtatorja e Zahir Pajazitit.

Ndërsa në orën 18 do të mbahet një akademi solemne ku do të jenë të pranishëm të ftuar vendorë e ndërkombëtarë, si dhe një koncert nga Filhamornia e Kosovës.

Ndërkohë, më 17 shkurt, në orën 12:00 do të fillojë parada e trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës. Ndërsa në orën 15 Kuvendi do të mbajë një seancë solemne dhe në orën 20 një koncert përmbyllës në qendër të Prishtinës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA