Importi i mbetjeve për riciklim

12/02/2013 00:00

Gjykata Kushtetuese ka dëgjuar të gjitha palët, lidhur me kërkesën e
shoqërise civile për ndalimin e importit të mbetjeve për riciklim dhe
kalimin e kësaj çështjeje me referendum.

Avokati i Kryeministrisë Ivi Kaso ka pretenduar se nëse hiqet neni 49 i ligjit për menaxhimin e mbetjeve të integruara atëherë do të ketë liberalizim të importit të mbetjeve, duke e kthyer Shqipërinë shumë vite pas.

“…miratimit të kërkesës së tyre dhe rrjedhimisht edhe shfuqizimit me anë të referendumit të nenit 49. Kjo përkon edhe një herë me qëllimin e tyre ndoshta tinzar, për ta rikthyer situatën para vitit 2002, në të cilin të kemi një lejim të përgjithshëm të ligjit për import të mbetjeve jo të rrezikshme, të garantuar nga neni 48, pika 3, jo për qëllim asgjësimi dhe ajo që ëndërrojnë ata mungesën e një kuadri nënligjor, i cili detajon të ashtuquajturën listën e gjelbër, pra materialet, të cilat lejohen të importohen”, u shpreh Kaso.

Edhe zevendesministri i Mjedisit Taulant Bino tha se heqja e nenit 49, liberalizon tregun e importit te mbetjeve, i cili aktualisht eshte i reduktuar brenda kufijve te listes se gjelber.

“Kërkesa për referendum, pavarësisht shtrimit të saj në parim, po të lexohen nenet në fjalë, çon në liberalizim të listës në 550 elementë dhe çon në derregullim të gjithë procesit kontrollues. Nëse bie neni 49 nuk ndalohet importi i mbetjeve. Importi i mbetjeve është i përcaktuar në nenin 48, i cili thotë që lejohet importi i mbetjeve të parrezikshme, përsa kohë ato nuk shërbejnë për qëllime as të ruajtjes dhe as asgjësimi, por lejohet për qëllime të tjera”, tha Bino.

Avokatet e Shoqerise Civile kane theksuar se kerkohet ndalimi i importit te mbetjeve te cilat jane te pakontrrolluara dhe që nga viti në vit janë rritur në mënyrë të ndjeshme, sipas raporteve të vetë Ministrisë së Mjedisit.

“Fakti që duke eliminuar këto dy nene që kërkojnë nismëtarët të shfuqizohen nga ligji, mund të lejonte import të liberalizuar të mbetejeve, nuk është i vërtetë është spekulim, sepse një gjë e tillë ndalohet kategorikisht nga dispozita shumë konkrete të Konventës së Bazelit, e nënshkruar nga Republika e Shqipërisë që në vitin 1999 dhe nuk i lihet në asnjë rast rastësisë importi i këtyre mbetjeve. Gjithçka rregullohet nga këto dispozita. Sigurisht që është ende në momentet e para kur po investohet në ngritjen e incerenatorëve të rinj shumë të fuqishëm, shumë të mëdhenj dhe kjo tregon se kapacitetet e importeve në vitet që do të vijnë do të jenë shumë herë më të larta nga ato që diskutojmë tani për momentin”, u shpreh avokat Dorian Matlia.

Pala mbrojtese e Kuvendit ka kerkuar edhe shpalljen e pavlefshme te 50 mije firmave duke kundershtuar edhe vendimin e KQZ-së. Ky pretendim eshte kundershtuar nga avokatet e shoqerise cilvile, te cilet deklarojne se importi i mbetjeve nga jashte duhet te ndalohet teresisht dhe jo te liberalizohet.  

Top Channel