
Me tone të ashpra të cilat i adresoheshin kryeministrit Berisha, nga
selia rozë Edi Rama tha se ai nuk ishte aspak i befasuar me vedimin e
pafajsisë lexuar në gjykatën e Tiranës për të akuzuarit e ngjarjes së 21
Janarit, të cilën e ka cilësuar si më barbaren pas rënies së
komunizmit.
“Sot nuk pati gjykim, por vetëm një përqafim mes vrasësve të drejtësisë dhe vrasësve të katër protestuesve që kërkonin një atdhe të drejtë. E nëse vrasjet e 21 janarit ishin krimi më barbar shtetëror në Shqipëri pas rënies së diktaturës komuniste, vendimi i sotëm i gjykatës është vrasja me barbare e drejtësisë në Shqipëri pas rënies së diktaturës. Pafajësia e vrasësve i duhet më shumë se edhe vetë atyre urdhëruesit të vrasjeve”, tha Rama.
Pavarësisht këtij vendimi, tha Rama, pas 23 Qershorit Sali Berisha nuk do të mund t’i shpëtojë llogaridhënies për autorësinë e këtij krimi.
“Pas 23 qershorit do të jetë thjesht dhe vetëm kryetari i Partisë Demokratike, përballë një procesi publik transparence për shkeljet e Kushtetutës dhe të ligjit me pasojë humbje jetësh, grabitje pasurish kombëtare apo zhdukje parash të popullit shqiptar”, tha Rama.
Rama i ka drejtuar edhe një mesazh familjarëve të katër viktimave.
“Familjet e katër dëshmorëve të 21 janarit nuk duhet ta vuajnë sot përfundimin vrastar të një gjyqi që në të vërtetë nuk ka nisur ende. I siguroj të katër familjet, siç siguroj edhe vrasësit e sotëm të drejtësisë, se 21 janari është nga ato ngjarje që historia mëson se as nuk harrohen pa u gjykuar drejtësisht dhe as nuk mbyllen duke u gjykuar padrejtësisht”, tha Rama.
Në fund të deklaratës Rama ka kujtuar ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, SHBA-së dhe Bashkimit Europian, ne hetimin e këtij krimi shtetëror, por vendimi sotëm tha ai dëshmon përpara syve të tyre, se deri ku ka arritur kultura e pandëshkueshmërisë.
Berisha: S’komentoj vendimet e gjykatave
Kryeministri Sali Berisha nuk bëri asnjë koment për vendimin e gjykatës, i cili shpalli të pafajshëm gardistët për cështjen e 21 janarit. Edhe pas këmbënguljes së gazetarëve, Berisha tha se ai nuk mund të komentojë kurrë vendimet e gjykatave.
“Ky është qendrimi im i prerë. Ka sistem drejtësie, sistem akuze dhe as edhe një koment nga ana ime”, deklaroi kryeministri.
Top Channel