Shitja e katër hidrocentraleve, atij të Ulzës, Shkopetit dhe dy Bistricave, veç debateve për çmimin, mbështillet tashmë dhe me pikëpyetje ligjore.
Pas dështimit në tenderin e parë, qeveria ndryshoi kriteret e privatizimit, më konkretisht pikën që flet për investitorin strategjik.
Në dy vendimet e mëparshme, me numër 152 dhe 153 të Këshillit të Ministrave, kriteret për privatizimin e këtyre HEC-eve ishin përcaktuar sipas ligjit 8306 për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë.
Siç duket qartë, të dy vendimet duke iu referuar ligjit kushtëzonin në nenin katër se blerësi duhet të zotëronte burime njerëzore, teknike, profesionale dhe të kishte eksperiencë në fushën e operimit të hidrocentraleve.
Por pas dështimit të tenderit në shtator, qeveria i ndryshoi kriteret duke e anashkaluar ligjin 8306. Në vendimin e ri të qeverisë me numër 676, pika përkatëse e kriterit strategjik hoqi kushtin e eksperiencës në sektorin e hidrocentraleve duke e zëvendësuar atë thjesht me eksperiencë në menaxhimin e kompanive të mëdha.
Ky ndryshim hapi rrugën që në tender të merrnin pjesë edhe kompani, të cilat nuk kishin eksperiencë apo njohuri në këtë fushë. Dhe pikërisht, njëra prej tyre u shpall fituese.
Në tenderin e dytë, katër hidrocentralet, të përcaktuar nga vetë qeveria si privatizim strategjik, iu shitën një investitori që sipsas ligjit nuk e përmbush këtë kriter.
Privatizimi i katër hidrocentraleve është shndërruar në një nga tenderat më të përfolur vitet e fundit për vlerën e ofruar. Opozita e ka konsideruar proçesin si një grabitje e pronës publike duke i bërë thirrje kompanisë blerëse që të tërhiqet nga blerja, pasi privatizimi do të rishqyrtohet kur ajo të vijë në pushtet.
Top Channel