Ambasadori gjerman në Beograd, Heinz Wilhelm ka deklaruar se, Serbisë
për momentin nuk i është vendosur si kusht që të mos pengojë
anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Megjithatë, diplomati gjerman ka shprehur bindjen e tij se herët a vonë qeverisë serbe do t’i parashtrohet një kërkesë e tillë.

“Natyrisht, për momentin nuk ka një kërkesë të tillë. Por në fund do të imponohet kërkesa e Prishtinës, të cilën ne e mbështesim. Serbia nuk duhet ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka thënë Wilhelm, i cituar nga gazeta serbe “Politika”.

Ambasadori ka shtuar se, Serbia në instancën e fundit nuk do të mund ta bllokojë hyrjen e Kosovës në OKB, pasi nëse Prishtina do të bëjë një kërkesë të tillë, atëherë do të vendosë Asambleja e Përgjithshme.

Më herët gjatë muajit, Wilhelm deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në OKB është një çështje që duhet të trajtohet në tryezën e bisedimeve në Bruksel.

Në një prononcim për të përditshmen serbe “Veçernje Novosti”, ai tha se Berlini dëshiron që marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës të ngirhen në nivel ambasadorësh.

“Për ne kjo është një çështje e rëndësishme, por në këtë moment unë nuk mund të them nëse ajo do të jetë vendimtare për dhënien e datës së hapjes së negociatave të anëtarësimit me Serbinë”, tha Wilhelm.

Deklarata nxiti reagime në Serbi. Disa zyrtarë e quajtën atë provokim të qëllimshëm, ndërsa opozita nacionaliste vlerësoi se duhet pasur kujdes për interesat e Serbisë, pasi ky është rezultat i kapitullimit.

Megjithëse Kosovës i duhen edhe rreth 20 njohje për t’u bërë anëtare e OKB-së, në bazë të rregullave me dy të tretat e votave, Asambleja e Përgjithshme mund të marrë një vendim të tillë.

Top Channel