Me një operacion gjigand, ku merrnin pjesë mbi 1200 oficerë policie, Europoli në bashkëpunim me organet e Rendit të dhjetë shteteve europiane, si dhe të EULEX-it, Misionit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, ka asgjësuar një rrjet europian të trafikimit të qënieve njerëzore.

Të paktën 103 persona janë arrestuar, 8 prej të cilëve në qytetin e Selanikut. Operacioni është zhvilluar në dhjetë shtete europiane, midis të cilave Greqia, Franca, Turqia, Çekia, Gjermania, Hungaria dhe Kosova, ndërsa është mbështetur edhe nga organet policore të Zvicrës dhe Austrisë.

Të gjithë personat e arrestuar dyshohet se janë përfshirë në kontrabandën klandestine të një numri të madh të emigrantëve ilegale, kryesisht nëpërmjet Turqisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Rrjeti trafikonte një numër të madh emigrantësh nga Afganistani, Iraku, Pakistani, Siria dhe Turqia. Trafikimi kryhej nga jashtë kufijve të BE, por edhe brenda shteteve anëtare të eurozonës.

Shpeshherë emigrantët dërgoheshin nga një shtet në tjetrin në kushte çnjerëzore dhe të rrezikshme për jetën, si psh në vende të fshehta poshtë autobusëve apo kamionëve, në trenat e mallrave apo anijet e ndryshme tregtare.

Në disa raste udhëtonin me dokumenta të rreme, ndërsa shpesh herë përdorej edhe e ashtuquajtura “martesa e bardhë” me qytetarë europianë përkundrejt një shume të caktuar parash.

Europoli, që ka mbështetur hetimet, pas të dhënave dhe përgjimeve të mbi 500 telefonatave midis anëtarëve të rrjetit, ka kryer kërkime në 117 shtëpi, ku ka sekuestruar telefona celularë, kompjutera, fatura bankare, një pushkë gjysmë-automatike me një sasi të madhe municioni dhe më shumë se 176,500 euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA