Në Kosovë ka ngjallur debate takimi i pritshëm i presidentes Jahjaga me atë të serbisë Nikoliç. 

Aktualisht, data ende nuk është publikuar nga zyra e shefes së diplomacisë europiane, Catherine Ashton, e cila do të ndërmjetësojë këtë takim, por në një intervistë për “Top-Channel”, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ky takim pritet të mbahet më 6 shkurt.

Zëdhënësi i Presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu, thotë për “Top-Channel” se detajet janë duke u harmonizuar me BE-në dhe takimi pritet të realizohet së shpejti.

 “Të gjitha hollësitë, formalitetet dhe detajet e tjera të takimit janë duke u harmonizuar me BE-në. Në takim pritet t’i jepet një mbështetje e plotë dialogut që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet dy qeverive, që po udhëhiqet nga kryeministri i Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë. Takimi pritet të mbahet se shpejti”, deklaroi  Arbër Vllahiu, zëdhënës i Presidentes së Kosovës.

Në anën tjetër, partitë politike e vlerësojnë me nota të ndryshme një takim eventual mes dy presidentëve.
 
Partia Demokratike e Kosovës i jep mbështetje zonjës Jahjaga për një takim të tillë, që sipas këtij subjekti është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

“Ne jemi për ta respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për t’i respektuar institucionet tona, vendimet e institucioneve tona dhe në rastin konkret ne e përshëndesim dhe e përkrahim këtë takim sepse e shohim se është një vullnet i mirë i Serbisë për të shkuar drejt njohjes edhe formale të Republikës së Kosovës”, u shpreh Adem Grabovci , kryetar i grupit parlamentar të PDK.

Ndërkohë, në Lidhjen Demokratike të Kosovës kërkojnë që takimi të zhvillohet në frymën e Kushtetutës së Kosovës, kurse në Lëvizjen Vetëvendosje e kundërshtojnë takimin Jahjaga – Nikoliç.

Ismet Beqiri, kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, tha: “Ne nuk jemi që të mos ketë dialog, por që dialogu të jetë i vërtetë, në çfarëdo niveli që mbahet, të jetë në harmoni dhe përputhje me Kushtetutëm dhe me aktet më të larta të vendit tonë”

Visar Ymeri, kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, ndan një qëndrim të ndryshëm: “Si takim mes presidentësh ka për qëllim, në njërën anë të paraqesë Serbinë si të mirë. Pra një kusht që i është vënë Serbisë nga BE-ja tashmë po ia plotëson Atifete Jahjaga për BE-në. Në anën tjetër është takim që synin që Serbia të fshehë të gjithë të kaluarën kriminale që ka pasur në Kosovë”.

Sidoqoftë, gjatë shkurtit, pas takimit Jahjaga – Nikoliç, do të mbahet edhe takimi i 5-të më radhë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Daçiç, me ndërmjetësimin e baroneshës, Catherine Ashton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA