
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka shkëputur kontratën me
kompaninë austriake OeSD, e cila ishte ngarkuar për prodhimin e
pasaportave biometrike.
Sipas raportimeve të “RTK”, pas konsumimit të afateve për një zgjidhje miqësore të mosmarrveshjeve, MPB ka ndërmarrë masa ligjore për ndërprerjen e kontartës.
“Ministria e ka marrë këtë vendim sepse kompania OeSD ka dështuar në respektimin e nenit 12.2 të kontratës, duke mos realizuar furnizimin në kohë me pasaporta biometrike”, njofton “RTK”.
Burime nga Ministria e Brendshme, të cituar nga media në fjalë, kanë saktësuar se dikasteri njoftoi mbrëmjen e së mërkurës kompaninë austriake për vendimin.
Burimet kanë shtuar se, Ministria e Brendshme së shpejti do të hapë tender të ri për pajisjen me pasaporta elektronike, sipas ligjit të prokurimit.
Ndërkaq, edhe kompania OeSD ka konfirmuar përmes postës elektronike shkëputjen e kontratës. Krisja mes saj dhe Ministrisë së Brendshme erdhi pas një skandali korrupsioni ku ishin përfshirë 1.4 milion euro.
Javën e kaluar OeSD paralajmëroi se do të padisë Ministrinë e Brendshme të Kosovës për mosrespektim të kontratës, veprim i cili, siç pretendon kompania, i ka shkaktuar dëme të mëdha financiare.
Drejtori ekzekutiv Reinhart Gausterer, në një deklaratë për mediat kosovare, tha se kompania ishte duke shqyrtuar mundësitë ligjore për të ngritur një padi në Kosovë, apo edhe në gjykatat ndërkombëtare ndaj Ministrisë së Brendshme.
Top Channel