Kompania prodhimit dhe tregtimit të duhanit, “Japan
Tobacco International” ka hapur të enjten zyrën e saj në Kosovë, bëjnë
të ditur mediat lokale.

I pranishëm në ceremoninë e përurimit ka qenë edhe ministri kosovar i Ekonomisë, Besim Beçaj, i cili u pyet posaçërisht nga gazetarët për qëndrimin e qeverisë kundrejt duhanit.

“Pozicionimi i qeverisë së Kosovës është të miratojë ligje funksionale, në harmoni me rregullat e BE-së. Për ne është me interes shëndeti publik, por njëkohësisht edhe funksionimi i ligjeve në harmoni me BE-në”, tha Beçaj.

Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë japoneze, Christian Cring shprehu mirënjohjen e tij për diskutimin e ligjit për duhanin në radhët e qeverisë kosovare.

“Si një investitor, ne u jemi mirënjohës autoriteteve vendase që kanë diskutuar hapur shqetësimet që ne kemi në lidhje me projektligjin e ri mbi kontrollin e duhanit. Shpresojmë se për ligjin do të zbatohen modelet efektive të BE-së”, tha Cring.

Më tej, ministri Beçaj paralajmëroi se shumë shpejt do të organizohet një takim me komunitetin e biznesit për t’i diskutuar në hollësi shqetësimet për këtë projektligj.

Top Channel