Arrestimi i nentë truprojave të shefit të Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Aleksander Vulin u kushtoi me pezullim nga puna dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Në një komunikatë për shtyp thuhet se dy policë janë pezulluar nga detyra për shkak të dyshimit se kanë përdorur forcë fizike gjatë kohës që serbët e arrestuar po mbaheshin në qendrën e ndalimit.
“Si rezultat i hetimeve të përbashkëta të kryera nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe EULEX–it, lidhur me ngjarjen e ndodhur më 7 janar 2013, dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë pezulluar në pritje të përfundimit të hetimeve”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Policia do të vazhdojë të bashkëpunojë me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe EULEX-in gjatë zhvillimit të mëtejshëm të hetimeve. Me daljen e fakteve të reja lidhur me rastin, Policia e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe të duhura.
Nëntë serbët e arrestuar ishin pjesëtarë të organizatës serbe të sigurisë “Mbrojtja civile”. Ata u arrestuan nga Policia e Kosovës për sjellje dhe veprime të dyshimta gjatë një vizite të Aleksandër Vulin në Graçanicë dhe u liruan dy ditë më vonë pas proçesit gjyqësor.
Top Channel