
Banka e Shipërisë uli me 0.25 pikë të tjera përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin më të ulët historik, 3.75 për qind. Guvernatori Ardian Fullani sqaroi arsyet që sipas tij e çuan këshillin mbikqyrës në këtë vendim.
“Nëpërmjet reduktimit të kostove të financave, Banka e Shqipërisë synon rritjen e kredisë, konsumit dhe investimeve. Ky mekanizëm nxit kërkesën dhe në rrethanat aktuale krijon kushte të përshtatshme për respektimin e objektivave afatmesëm të inflacionit”, deklaroi Fullani.
Banka vlerëson se ekonomia vijon të mbetet nën presionet e forta të krizës duke parashikuar se edhe 2013-a do të jetë një vit i vështirë.
“Nga ecuria e deritanishme e aktivitetit ekonomik dhe projeksionet e 2013-ës, mbështesim vlerësimin për një rritje pozitive, të përafërt me atë të vitit parardhës”, nënvizoi Fullani.
Më herët gjatë muajit Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim deklaroi se ekonomia shqiptare u rrit me 1.8 për qind në vitin 2012, duke korrigjuar pozitivsht vlerësimin e mëparashëm.
Në tetor BERZH kishte deklaruar se rritja ekonomike për vitin 2012 do të ishte rreth 0.6 për qind, por ecuria e mirë e prodhimit në tremujorin e tretë ka ndryshuar edhe vlerësimin përfundimtar.
Prej më shumë se një viti Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa ulje të njëpasnjëshme të normës bazë. Por siç pranoi vetë guvernatori, efekti i transmetimit në ekonominë reale ka qenë i kufizuar, për shkak të pasigurisë së lartë në ekonomi.
Rritja e kredisë për privatët ka arritur pikën më të ulët, ndërsa efekti i vetëm i uljes së normës ka qenë ulja e interesave për bonot e thesarit, përmes të cilave qeveria merr para borxh në tregun e brendshëm.
Top Channel