Debati për sistemin e taksave

30/01/2013 00:00

Kriza ekonomike dhe afrimi i fushatës elektorale e kanë shndërruar
debatin për politikat e taksimit, në një nga pikat më të nxehta të
luftës politike. Opozita thotë se sistemi aktual i taksave është i
padrejtë dhe premton rikthimin e taksës progresive.

“Ne sot nuk e shohim taksën progresive mbi të ardhurat personale, thjesht si një element tatimor, përkundrazi, ne e shohim si një element social. Janë mbi 98 për qind e shteteve, duke përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë Italinë, Greqinë, Gjermaninë, pra gjithë Europa pothuajse, që aplikojnë taksë progresive, mbi të ardhurat personale, pikërisht me qëllim rishpërndarjen”, tha deputeti socialist Arben Ahmetaj.
 
Prej disa muajsh Partia Socialiste ka bërë publik edhe propozimin konkret për tatimin mbi pagat. Sipas draftit, të gjithë ata që kanë një pagë deri në 160 mijë lekë do t’u mbahen më pak taksa nga pagat e tyre. Për një individ me pagë mesatare prej 50 mijë lekë në muaj, opozita thotë se barra do ulet me tre herë.

“Në studimin që i kemi bërë borderosë së pagave të mbi 330 mijë të punësuarve, me sistemin që ne afrojmë, realisht dhe statikisht 95 për qind e të punësuarve përfitojnë ulje të konsiderueshme takse”, tha Ahmetaj.

Por socialistët mendojnë se ndërtimi i një sistemi më të ndershëm taksash, ku secili paguan sipas të ardhurave që fiton nuk është arsyeja e vetme se pse shqipëria ka nevojë për taksën progresive. Sipas Ahmetajt, propozimi ka dhe arsye ekonomike, si një instrument antikrizë, që nxit konsumin.

Në vitin 2007, Qeveria e demokratëve aplikoi për herë të parë në Shqipëri taksën e sheshtë, sipas të cilës pavarësisht nga niveli i të ardhurave individët paguajnë të njëtën normë takse, në masën 10 për qind.

Top Channel