Kryeministri grek, Andonis Samaras udhëton të martën për në Katar, në
kuadër të një vizite dyditore që ka si qëllim tërheqjen e investimeve në
vend.

Samaras, që do të shoqërohet nga shumë ministra dhe biznesmenë, do të takohet me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, si dhe me emirin Hamad bin Khalifa.

Mediat helene raportojnë se në qendër të bisedimeve do të jenë edhe pasuritë e patundshme të shtetit grek të destinuara për privatizime.

Më herët gjatë muajit, në samitin e parë të Eurogrupit për këtë vit u mori brenda dhjetë minutash vendimi për të aprovuar këstin e radhës për ndihmën financiare të Greqisë.

Kështu, Athina lëvron edhe 9.2 miliardë te tjera, pasi ka marrë në dhjetorin e kaluar 34.4 miliardë euro nga Fondi Europian i Stabilitetit Financiar dhe 3.2 miliardë të tjera para disa ditësh nga FMN-ja.

Prej kësaj shume, siç është bërë e njohur nga programi i reformave, 7.2 miliardë do të shkojnë për rikapitalizimin e bankave greke dhe 2 miliardë te tjera për nevojat e buxhetit shtetëror.

Presidenti i eurogrupit, Jean Clode Juncker tha se progresi i Athinës ishte i kënaqshëm pasi ishin plotësuar të gjitha kërkesat e kreditorëve në këtë fazë.

Gjithashtu, edhe shefja e FMN-së, Christine Legarde dhe Paul Tomsen, ekspert i trojkës për Greqinë, kanë pranuar seriozitetin e Athinës në zbatimin e programit.

Top Channel