Pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Nju Jork kanë protestuar të hënën
përpara selisë së Kombeve të Bashkuara ndaj qëndrimit të Beogradit
kundrejt Luginës së Preshevës.

Protestuesit i kanë kërkuar Pallatit të Qelqtë që t’i kërkojë qeverisë serbe që t’i japë fund “shtypjes dhe diskriminimit të shqiptarëve” në Serbinë jugore.

“Shqiptaro-amerikanët janë shumë të shqetësuar për përkeqësimin e situatës së të drejtave të njeriut dhe rritjen e tensioneve në Luginën e Preshevës”, thuhet në komunikatën e një organizate shqiptare, të cituar nga “VOA”.

Organizata i është referuar heqjes së përmendores së UÇPMB-së nga qendra e Preshevës, duke vënë në dukje se, “qeveria serbe përdori forcën, në vend që të ndërtonte ura komunikimi me shqiptarët e Luginës”.

“Sjellja e qeverisë serbe nuk ka vend në Evropë, sidomos tani që Serbia pret datën për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë organizata.

Protestuesit kanë bërë thirrje që shqiptarëve të Preshevës t’u garantohen të drejta të njëjta me ato që gëzon pakica serbe në veri të Kosovës dhe që përmendorja të kthehet aty ku ishte vendosur.

Çështja e përmendores së hequr në Preshevë ka tensionuar situatën në Ballkan mes faktorit shqiptar dhe atij serb, degradimit të të cilës duket se i ka shërbyer deklarata e kryeministrit serb Ivica Daçiç se, UÇPMB është njësoj si Al Kaeda.

Top Channel