Mbledhja e përbashkët e qeverisë serbe dhe asaj maqedonase, që pritet të mbahet në muajin maj në Beograd, ka për qëllim të provokojë shqiptarët dhe të dëshmojë thellimin e raporteve mes Maqedonisë me Serbisë.

Kështu e sheh deputeti i partisë opozitare PDK, Izet Zeqiri, paralajmërimin që doli pas takimit në Shkup mes kryeministrit serb, Ivica Daçiç, dhe atij maqedonas, Nikolla Gruevski, për një seancë të përbashkët të dy qeverive.

“Paralajmërimet e këtilla, në momente shumë kritike, ku shqiptarët u provokuan rëndë posaçërisht në Luginën e Preshevës, në masë të madhe i irritojnë edhe shqiptarët e Maqedonisë, nga mënyra dhe forma e bashkëpunimeve, që paralajmërohen në të ardhmen”, tha Izet Zeqiri, deputet i PDK-së.

Por, nga partia shqiptare në qeverinë e Maqedonisë, thonë se mbledhjet e përbashkëta mes qeverive të vendeve të rajonit, mbahen në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe se kjo është parktikë në vendet e BE-së. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, tha se qeveria e Maqedonisë pritet të mbajë një mbledhje të përbashkët edhe me Shqipërinë.

“Informacionet tona janë se qeveria, fillimisht, ka biseduar me qeverinë e Shqipërisë dhe janë dakorduar për mbledhje të përbashkët, është diskutuar edhe për mbledhje të përbashkët me Serbinë, është vendosur në kuadër të fqinjësisë së mirë të fillojnë diskutimet për qeveri të përbashkët dhe kjo është në kontekst të atij bashkëpunimi rajonal, që ne si parti politike gjithmonë e kemi promovuar si iniciativë të integrimit të rajonit në BE”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Zyrtarisht është bërë e ditur se në mbledhjen e parë të përbashkët, mes qeverive të Serbisë dhe Maqedonisë, do të diskutohet për forcimin e raporteve bilaterale dhe rritjen e bashkëpunimit në sferën e ekonomisë, energjetikës dhe infrastrukturës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA