Hamdi Sopa, zyrtar për informim në zyrën e Kryeministrit të Kosovës, ka vdekur të martën pasdite, në rrethana ende të pasqaruara.

Ai ka rënë nga banesa e tij, nga kati i nëntë (9), në lagjen Aktash të Prishtinës, ndërsa Policia e Kosovës bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15 e 50 të së martës.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se vdekjen e tij e ka konstatuar një mjek ligjor, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitet e policisë.

Policia e ka kualifikuar rastin si “vdekje nën rrethana të dyshimta”, raportojnë mediat në Prishtinë.

Hamdi Sopa, 59 vjeçar, prej disa vitesh punonte në Zyrën për Informim të Kryeministrit të Kosovës.

Pas kësaj ngjarjeje tragjike, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka shprehur ngushëllime familjes Sopa.

“Zyra e Kryeministrit  i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Sopa për humbjen e familjarit të tyre dhe zyrtarit të devotshëm të Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA