Ambasadori francez në Beograd, François Xavier Deniau ka deklaruar se
për Francën është e rëndësishme ajo që po ndodh me dialogun
Serbi-Kosovë, mënyra se si po zhvillohen negociatat dhe zgjidhjet që po
arrihen.

I pyetur nga mediat serbe rreth takimit të radhës në Bruksel, institucionet paralele në Kosovë dhe çfarë pret Parisi nga ky proçes, ambasadori ka thënë se për këtë çështje ai nuk mund të japë këshilla apo rekomandime.

“Së pari, u takon të dyja palëve në dialog që të gjejnë një marrëveshje të përbashkët, e cila do të çonte drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe jetës më të mirë të të gjithë qytetarëve në Kosovë”, është shprehur Deniau.

Insistimit të gazetarëve se Prishtina përpiqet që marrëveshjet e arritura në Bruksel t’i ndryshojë në terren, Deniau i është përgjigjur duke thënë se:

“Përparësia e dialogut direkt është se të dyja palët merren vesh aty për aty, pa ndërmjetës. Kështu që qartësia është e plotë”.

I të njëjtit mendim u shpreh pak ditë më parë edhe ambasadori britanik në Prishtinë, Jan Cliff, i cili deklaroi se çështje të rëndësishme si ajo e veriut të Kosovës duhet të zgjidhen në kuadër të bisedimeve.

Në një takim ku u publikua hulumtimi mbi punën e Zyrës Administrative në veri, Cliff vuri në dukje se, institucioni në fjalë nuk mund të zgjidhë çështjen e barrikadave, pasi ajo mund të arrihet vetëm përmes dialogut.

“Besojmë se themelimi i doganave dhe zbatimi i TVSH-së në pikat doganore 1 dhe 31 do të ndikojnë në ndaljen e korrupsionit. Po ashtu, themelimi i fondit për zhvillimin e veriut është pjesë e zgjidhjes politike të problemit. Por ajo që mbetet shqetësuese është vazhdimi i funksionimit të të ashtuquajturave struktura të sigurisë”, tha Cliff.

Top Channel