Portokalli i kuq lufton kancerin

28/01/2013 00:00

Lidhja mes ushqimit dhe kancerit njihet prej kohësh: mendohet se rreth
një e treta e tumoreve “lindin” në tavolinë. Studimet e fundit në fushën
e biologjisë molekulare kanë treguar lidhjen mes obezitetit e kancerit,
si dhe domosdoshmërinë e kufizimit të kalorive për të shmangur
mbipeshën dhe për të qenë në formë.

Në bazë të marrëdhënies ushqim-kancer qëndrojnë disa mekanizma metabolikë: sot dimë që një ushqim i caktuar mund të nxisë ose të frenojë shfaqjen e një sëmundjeje. Për këtë arsye specialistët këshillojnë konsumimin në masë të portokallit të kuq, si dhe t’u jepet privilegj frutave dhe zarzavateve të stinës (sepse kanë vlera të mëdha ushqyese). Portokalli i kuq ka efekt terapeutik për organizmin. Zakonisht rekomandohet për humbjet e kileve të tepërta, por vlerat e tij ndikojnë edhe në uljen e nivelit të insulinës në gjak. Portokalli i kuq ul kolesterolin e keq LDL dhe nivelin e triglicerideve në gjak.

Por cila është mënyra e duhur për të parandaluar efektet e dëmshme të ushqimeve? Duke mbajtur të ulët insulinën, hormon që kur prodhohet me shumicë, shton sasinë e testosteronit, si te femrat ashtu edhe te meshkujt, si dhe duke reduktuar prodhimin e faktorit të rritjes IGF-I, që ushqen qelizat kanceroze. Duhet kufizuar konsumi i sheqerit dhe zëvendësimi i tij me elb, drithëra, tërshërë; gjithashtu në vend të karbohidrateve integrale duhen përdorur ato të rafinuara (miell 0 dhe oriz i bardhë). Vëmendje i duhet kushtuar edhe “treguesit glicemik të ushqimeve”, i cili tregon kaloritë kur një ushqim e rrit ose e ul nivelin e sheqernave në gjak. Pra duhen zgjedhur ushqime që kanë tregues glicemik të ulët. Përpiquni të parandaloni inflamacionin që favorizon rritjen e tumoreve. Si burim proteinash mund të përdorni bishtajoret dhe peshkun; reduktoni konsumin e mishit të kuq, që nuk duhet ngrënë më shumë se një herë një javë.

Për të luftuar radikalet e lira, të cilat shkaktojnë procesin e njohur të oksidimit, duhen konsumuar ushqime të pasura me vitamina dhe antioksidantë, të tilla si portokalli, rrushi, domatet etj. Gjithashtu duhet kufizuar ngrënia e gjalpit dhe djathit.

Eliminimi i helmeve nga trupi është një efekt mbrojtës. Për të arritur këtë qëllim duhen konsumuar shumë zarzavate, si brokoli, lulelakra, spinaqi, preshi, lakra dhe shumë fibra, të cilat favorizojnë tretjen e ushqimeve dhe eliminimin e substancave toksike nga trupi. Efekt mbrojtës ka edhe aktiviteti fizik, sepse ndihmon në zbrazjen e zorrëve. Duke bërë sport forcohet edhe sistemi imunitar, që është “mburoja” jonë kundër sëmundjeve. Ngrënia e frutave (pesë lloje në ditë) jo vetëm pastron organizmin, por mban trupin në formë. Duke konsumuar më pak mish, ëmbëlsira dhe yndyra, si dhe pafund zarzavate, fruta e fibra, jo vetëm që do të mbroni veten nga sëmundjet e ndryshme, por do të jeni më të shëndetshëm. Që efektet të jenë më të mëdha këtij regjimi i duhet shtuar edhe aktiviteti fizik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA