Raportuesit për Serbinë dhe Kosovën në Parlamentin Evropian, Jelko Kaçin dhe Ulrike Lunaçek kanë përshëndetur takimin e paralajmëruar mes presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe presidentit serb Tomisllav Nikoliç.
Dy eurodeputetët janë shprehur se takimi në fjalë do të kontribuojë në përmirësimin e situatës në rajon dhe do të ndikojë në proçesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Çdo takim i zyrtarëve të lartë i kontribuon vendosjes së mirëbesimit dhe marrëdhënieve normale ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Kaçin, i cituar nga gazeta serbe “Danas”.
Eurodeputeti slloven është shprehur optimist se, takimi në fjalë do të shënojë një kthesë në qasjet e Nikoliç ndaj çështjeve të Ballkanit, pasi sipas tij, presidenti serb mund të bëjë më shumë për pajtimin e popujve të rajonit.
Nga ana tjetër, eurodeputetja Ulrike Lunaçek ka deklaruar se, “e mbështet fuqishëm takimin mes presidentëve të dy shteteve, siç janë Kosova dhe Serbia”.
Më herët gjatë muajit, këshilltari i presidentes kosovare, Ramush Tahiri deklaroi se zonja Jahjaga dhe Nikoliç do të takohen gjatë muajit shkurt.
Tahiri tha se data e takimit është caktuar, por për shkak të angazhimeve të përfaqësuesve ndërkombëtarë ajo mund të shtyhet.
“Takimi do të ndodhë gjatë shkurtit ose në fillim të marsit, por data mund të ndryshojë nga ana e përfaqësuesve ndërkombëtarë”, tha Tahiri.
“Në takim do të flitet për dialogun mes dy vendeve. Presidentët nuk mund të ngrenë çështje të reja, por do t’u japin shtysë çështjeve të hapura”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, edhe zv.kryeministrja serbe Suzana Grubjeshiç e konfirmoi takimin gjatë një vizite në Bruksel, por edhe ajo nuk dha një datë të saktë për mbajtjen e tij.
Top Channel