Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi nuk e sheh të rrezikuar të ardhmen e tij politike pas pezullimit të aktivitetit partiak në Partinë Demokratike të Kosovës.

Ai tha se për këtë vendosin vetëm qytetarët e Kosovës. Në daljen e parë para gazetarëve pas njoftimit se nuk do të marrë pjesë në kongresin e PDK-së, kryeparlamentari Krasniqi nuk deshi të komentonte më shumë rreth kësaj çështjeje.

“Unë një gjë duhet t’ju them. Më së paku kam menduar për vete dhe për postin tim. Mendoj që këtë duhet të keni të qartë edhe ju edhe ata që i informoni. Për karrierën time politike e kam thënë një herë dhe po e them sërish, janë qytetarët e Kosovës ata që e përcaktojnë”, deklaroi Krasniqi.

Krasniqi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës pasi u propozua nga PDK-ja, e cila ishte fituese e zgjedhjeve parlamentare. Fjalët për shkarkimin e tij nga ky post kane rrjedhur nga vetë deputetët e PDK-së, të cilët në disa raste gjatë seancave plenare e kanë kërcënuar Krasniqin me shkarkim.

Proçedura e shkarkimit të kryetarit të Kuvendit është e njëjtë me atë të emërimit. Pas propozimit të grupit parlamentar që e ka emëruar nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve. Në një proçedurë të mundshme shkarkimi, opozita është rreshtuar në anën e Krasniqit.

“Çdo qëndrim i PDK-së, në veçanti i PDK-së aktuale, është qëndrim që nuk duhet të përkrahet. Kështu i bie që nuk do të ketë sukses”, tha Ismet Beqiri, shef i grupit të LDK-së.

“Ne konsiderojmë që Jakup Krasniqi është kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe natyrisht që nuk do ta përkrahim tendencën e kujtdo për ta shkarkuar atë nga posti i kryetarit”, u shpreh ndërkohë Visar Ymeri, shef i grupit të Vetëvendosjes.

Zyrtarisht Partia Demokratike e Kosovës nuk ka nisur një proçedurë për shkakrimin e Krasniqit nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, por pretendime të tilla janë dëgjuar në audioinçizimet hetimore të EULEX-it, të cilat u publikuan kohë më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA