DASH, mesazh të fortë për Berishën

28/01/2013 00:00

Departamenti Amerikan i Shtetit mësohet se i ka dërguar një mesazh shumë
të fortë Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, pas ashpërsimit të
qëndrimit të Tiranës zyrtare në lidhje me marrëdhëniet me fqinjët dhe
forcimin e opozicioneve nacionaliste.

Burime pranë qeverisë bënë të ditur se pak ditë më parë, ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, i është dorëzuar një letër që është hartuar nga një zyrtar mjaft i rëndësishëm i Departamentit të Shtetit, ku renditen shqetësimet e Uashingtonit zyrtar për zhvillimet e fundit në vend, të cilat kanë turbulluar mjaft situatën në rajon dhe kryesisht në hapësirën ku jetojnë shqiptarët, duke tronditur përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian për vendosjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të vendoste paqen në rajon, natyrisht bashkë edhe me normalizimit të situatës në Bosnjë-Hercegovinë. Ndërkaq, mësohet se letra e Departamentit të Shtetit drejtuar qeverisë, ka pasur edhe shqetësime të tjera në lidhje me situatën brenda vendit e veçanërisht me përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Në lidhje me mesazhin e DASH, ambasada amerikane në Tiranë, e pyetur nga gazeta “Shqip”, ka bërë të ditur se “Nuk komentojmë përmbajtjen e shkëmbimeve diplomatike private. Pikëpamjet e qeverisë së SHBA mbi retorikën nacionaliste janë të mirënjohura. Qeveria e SHBA-së nxit qeverinë shqiptare dhe të gjithë udhëheqësit politikë shqiptarë të vazhdojnë të jenë promovues të moderimit dhe dialogut dhe të jenë zëra të qetë e të arsyeshëm për stabilitetin rajonal”.

Në fakt, për çështjen e toneve nacionaliste SHBA ka dhënë mesazhe të forta, si nëpërmjet ambasadorit të saj në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ashtu edhe nga ambasadori në selinë e OSBE-së në Vjenë, Ian Kelly, por edhe nga zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Philip Reeker, i cili është kreu i zyrës për Euroazinë në DASH. Më 16 janar, gjatë një deklarate nga Brukseli, zoti Reeker, deklaroi qartësisht: “Ndërkohë që po zhvillohet fushata zgjedhore, kemi qenë të shqetësuar nga shumë retorika nacionaliste, gjë që ne e konsiderojmë shqetësuese dhe të panevojshme. Kjo tërheq vëmendjen nga gjëra që janë me të vërtetë të rëndësishme. Në 100 vitet e kaluara, por edhe më herët, historia ka treguar se kjo lloj retorike nuk i ndihmon qytetarët për nevojat e tyre, nuk krijon vende pune, nuk çon përpara perspektivat ekonomike. Është thjesht një hutim. Është sjellje populiste dhe shpesh shumë fatkeqe, prandaj mendoj se do të ishte më e mençur që liderët të fokusohen se si mund ta çojnë vendin përpara, veçanërisht në rrugën europiane që ne e shohim të rëndësishme për Shqipërinë. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ata kanë bërë shumë për të punuar në atë proces e për t’u bërë anëtarë të plotë të Aleancës në vitin 2009. Si të tillë, nga ata pritet që të zbatojnë një standard të caktuar, si dhe që të punojnë për reformat që kanë përpara. Në vend të hutimeve të rrezikshme mendoj se do të bënin mirë që të fokusohen te gjërat që kanë me të vërtetë rëndësi për të ardhmen e Shqipërisë, veçanërisht tek ekonomia”. Po pse vetëm disa ditë më pas kemi një veprim të fortë të Uashingtonit, një mesazh konfidencial për qeverinë e Kryeministrit Berisha, në dritën e zhvillimeve të fundit? Ky mesazh është dorëzuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme afërsisht në një kohë edhe me mesazhin e sekretares Hillary Clinton, drejtuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, ku e falënderonte për nderimin me medaljen e lartë “Urdhrin e Flamurit”. Ndërkohë, letra drejtuar Kryeministrit shqiptar nuk u bë e ditur për publikun, pasi duket ka qenë e natyrës konfidenciale. Dhe ky mesazh është dërguar vetëm pak ditë pas përshkallëzimit të situatës në rajon, pas ngjarjeve me lapidarin e UÇPMB-së në Preshevë. Realisht nuk kemi të bëjmë thjesht me shqetësimin nga Uashingtoni për deklarata politike kontraversale nga ana e Beogradit zyrtar dhe Tiranës. Por çështja është se Uashingtoni shqetësohet nga përshkallëzimi i qëndrimeve gjatë fushatës elektorale, që mund të minonte realisht si procesin e dialogut mes Prishtinës e Beogradit, i cili në ditët e para të shkurtit arrin nivel të lartë me takimin Jahjaga Nikoliç, por edhe me eksportimin e problemeve në Maqedoni, në një moment tepër delikat ku dhe atje pritet të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Aktualisht në mazhorancë, kemi dy qëndrime në lidhje me pozicionet nacionaliste. Qëndrimi i Kryeministrit që ka qenë më radikal, dhe qëndrimi i LSI-së e cila ka Ministrinë e Jashtme, ku është vënë re negocimi me faktorin ndërkombëtar për ta qetësuar situatën. Qëndrimet në ditën në vazhdim do të reflektojnë nëse do të ketë më shumë thellim të këtij hendeku apo një afrim të mundshëm. Që natyrisht do të ketë edhe reperkusione politike në muajt para fushatës zgjedhore…

Top Channel