Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç po qëndron për vizitë në Maqedoni,
ku të hënën është parashikuar të takohet me kryeministrin Nikolla
Gruevski dhe kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanovski.

Vizitën në Shkup, Daçiç e ka filluar të dielën në mbrëmje, me pjesëmarrjen në shënimin e ditës së komunitetit serb në Maqedoni, të njohur si dita e Shën Savës.

Ai në fjalimin e mbajtur me këtë rast tha se Serbia është e interesuar për marrëdhënie të mira me Maqedoninë dhe se nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj fqinjit jugor të saj.

“Ne jo vetëm që nuk kemi pretendime territoriale, por ne do të vazhdojmë të jemi miqtë më të mirë të maqedonasve dhe të Maqedonisë”, ka deklaruar Daçiç, bën të ditur Radio Europa e Lirë.

Kryeministri Nikolla Gruevski, i pranishëm në shënimin e ditës së serbëve në Maqedoni tha se qeveria që ai drejton mbetet e përkushtuar për integrimin e serbëve në shoqërinë maqedonase dhe avancimin e të drejtave të tyre.

Top Channel